Ish-kryeministri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas largimit që i bëri kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nga grupi parlamentar, tha se nesër do të shkojë në Kuvend, ndërsa e cilësoi vendimin si kapitullim të PD. Ai tha se Basha e ka vrarë PD dhe shtoi:

“PD ka dorëzuar për shkak të lobimit korruptiv sovranitetin e saj. S’i kam kërkuar njeri në botë ndihmë. Unë nuk e dua ndihmën e tij.

Në mënyrë të përsëritur ndihma më e madhe është ajo që të kërkonte transparencë. Unë ky jam. Do të qendroj në mbroj të dinjitetit tim. Do qendroj në mbrojtje të sovrantietit të PD-së. Nesër do të shkoj në parlament. Jam në Parlament pa diskutim.’- tha Berisha.

Vendimi, sipas Berishës, është personal i Bashës dhe i asnjë forumi të partisë. Ai nënvizon se, siç ka deklaruar më parë, do të bëjë gjithçka për të rikthyer sipas tij sovranitetin e PD.

“Basha, për interesa apo qëllime të caktuara, shpalli një vendim i cili është nul, sepse është vendimi i tij dhe i asnjë forumi të PD. Por nuk është ky thelbi. Thelbi është dorëzimi i sovranitetit të PD. Ka humbur e tërë shoqëria shqiptare sepse vetëm një forcë politike sovrane mund të qeverisë vendin, mund të jetë një opozitë e pavarur e interesave opozitar” tha Berisha.

Para vendimit ai thotë se ka komunikuar me Bashës, por s’e priste që ta përjashtonte.

“Kam komunikuar dhe i kam thënë këto që po i’u them. E dija që ai ishte në preisone, por s’e mendoja se ai duke mos respektuar asnjë lloj rregulli të shpallte një vendim të tillë personal”.

Berisha është kundër përjashtimit nga grupi parlamentar nga Lulzim Basha, duke thënë se ky i fundit është kërcënuar me sanksione, teksa shtoi se e ka marrë vendimin në shkelje të statutit të PD-së.

“Sovraniteti i PD-se është institucioni i sovranitetit të vendit. Me njoftimin që shpalli Basha, dëshmoi se bëri atë që s’e bëri as Ilirjan Celibashi, vendosi që të dorëzojë sovranitetin, faktikisht të asgjësoj PD-ne si një parti sovrane, për shkak të presioneve të jashtëzakonshme të lobimit korruptiv të Ramës dhe Soros.

Jam i sigurt që e kanë kërcënuar me sanksione. Nuk më intereson se çfarë sanksionesh, por më intereson fakti se forca politike, nuk mund të jetë kurrë një forcë politike e drejtuesit që i cakton një vend tjetër në botë, se këtu i merr fund gjithçka.

Nëse PD i është bërë, jo Sali Berishës, se unë vazhdoj betejën, por i është bërë goditja më fatale që mund t’i bëhet një force politike. Për të marrë një vendim të tillë, Basha duhet të mblidhte Kongresin e PD, të ndryshonte statutin, të vendoste një nen në statut në të cilin të sanksionohej përjashtimi nga grupi e personave që bëhen “non Grata” nga SHBA”, tha Berisha.

“Me veprimin e tij, Basha shkelmoi parimet themelore. PD e kanë themeluar zotërinj, studente intelektual, në kulmin e izolimit dhe rrethimit. Kanë vendosur parimin e të drejtave njerëzore. Sot Lulzim Basha nën presionin të lobimit korruptiv, Rama-Soros, shpall vendimin më të paligjshëm në historinë e pluralizmit shqiptar.

Një gjë të siguroj se Sali Berisha do bëj gjithçka me çdo demokrat dhe shqiptar për të vendosur sovranitetin e partisë, që Lulzim Basha do të jepte 5 herë dorëheqjen para se të shkelmonte”, tha Berisha.