Ndonëse Shqipëria shprehu gatishmërinë për t’u bërë strehë për rreth 4 mijë shtetas afganë, evakuimi i tyre po bëhet edhe më i vështirë. Këtë e konfirmon Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, e cila në një intervistë për Klan News tregon numrin e afganëve për të cilët po punohet të mbërrijnë në vendin tonë.

“Presim rreth 1300 të tjerë, për të cilët jemi duke koordinuar me organizatat dhe me partnerët për t’i sjellë ose nga Afganistani ose nga vendet e tjera ku kanë shkuar dhe për shkak të gjendjes kaotike në Kabul u ndanë dhe familjet dhe grupet që duhet të udhëtonin bashkë. Sigurisht angazhimi ynë ka qenë për 4 mijë, një numër që duket i vështirë sot për t’u realizuar për sa kohë që e gjithë kjo situatë është ende dinamike dhe përpjekjet kanë qenë të mëdha dhe gjithashtu vështirësitë”.

Ministrja Xhaçka mohon që Shqipëria të ketë marrë fonde nga vende të tjera për strehimin e afganëve, ndërsa tregon bashkëpunëtorët në këtë proces.

“Shqipëria nuk ka marrë asnjë lekë, nuk ka marrë asnjë fond për të mbështetur strehimin dhe qëndrimin e qytetarëve afganë në Shqipëri. Jemi duke bashkëpunuar me organizata ndërkombëtare dhe amerikane, patjetër duke koordinuar me shtetin shqiptar dhe institucionet e linjës që bëjnë të mundur ofrimin e sigurisë, shëndetit bazë, arsimit. Ndërkohë, çdo shpenzim tjetër për qëndrimin, strehimin, ushqimin dhe gjithë nevojat e tjera të qytetarëve afganë në Shqipëri mbulohen nga organizatat që jemi duke bashkëpunuar”.

A ka pasur dyshime shteti shqiptar se mes shtetasve afganë të strehuar në Shqipëri ka mbështetës të talebanëve?

“Në aeroportin e Kabulit ka pasur një pre screen për të gjithë ata qytetarë afganë që kanë hipur në avionë e janë transportuar në vende të tjera. Shqipëria ka marrë një lloj elite intelektuale, profesioniste të Afganistanit. Bëhet fjalë për pedagogë, artisë, gazetarë, inxhinierë për njerëz që kanë bashkëpunuar ngushtësisht me organizatat ndërkombëtare dhe amerikane. Është një lloj elite që po ta vëmë në fjalët tuaja infiltrimi do ishte shumë i vështirë. Patjetër ata vijnë së bashku me familjet e tyre, janë gjithë kohës të asistuar edhe nga përfaqësues të organizatave ku kanë qenë të punësuar. Dimë saktësisht kush është gjithsecili prej tyre. Nuk janë ai kompozicion i refugjatit dhe emigrantit tipik që është më së shumti ekonomik”.

Qëndrimi i tyre në vendin tonë ende nuk ka një afat të përcaktuar, gjithsesi Xhaçka parashikon një tjetër plan në rast se lëvizja drejt SHBA do të zgjasë më shumë se 1 vit.

“Asnjëri nuk ka ditur të thotë se sa do zgjasë përfundimisht dhe se kur këta qytetarë afganë do kenë mundësi të lëvizin drejt SHBA pas marrjes së vizave. Parashikimi fillestar ka qenë për disa muaj. Është e vështirë të themi se sa do zgjasë, do të kemi zgjidhje edhe nëse qëndrimi i tyre do të tejkalojë një vit”.

Teksa Rusia, Kina dhe Turqia janë në bisedime me talebanët, Xhaçka thotë se qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj qeverisë së krijuar prej tyre do të jetë në të njëjtën linjë me aleancën e NATO-s.