Kinë-SHBA, bisedë telefonike e dy presidentëve

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi të premten në mëngjes një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan Joe Biden. Të dy udhëheqësit patën komunikim dhe shkëmbime të sinqerta, të thella dhe të gjera strategjike mbi marrëdhëniet kino-amerikane dhe çështjet përkatëse me interes të përbashkët.

Presidenti Xi së pari u shprehu solidaritetin  e tij presidentit Biden dhe popullit amerikan për humbjet njerëzore dhe ekonomike të shkaktuara në Shtetet e Bashkuara nga uragani “Ida”. Biden-i shprehu vlerësimin e tij për shprehjen e solidaritetit.

Xi vuri në dukje se prej disa kohësh marrëdhëniet kino-amerikane kanë hasur vështirësi serioze.

“Kjo nuk u shërben as interesave themelorë të popujve të të dy vendeve, as interesave të përbashkët të vendeve në mbarë botën,” u shpreh presidenti kinez.

Sipas tij, Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë përkatësisht vendi më i madh në zhvillim dhe vendi më i madh i zhvilluar dhe mënyra si i trajtojnë ato marrëdhëniet mes tyre ndikon në të ardhmen e botës.

“Kjo është pyetja e shekullit, së cilës të dy vendet duhet t’i japin përgjigjen e duhur. Nëse Kina dhe Shtetet e Bashkuara bashkëpunojnë, përfitojnë të dy vendet dhe bota; nëse Kina dhe Shtetet e Bashkuara i kundërvihen njëra-tjetrës, të dy vendet dhe bota do të vuajnë,” vuri në dukje Xi, duke shtuar se kthimi i marrëdhënieve në rrugën e duhur nuk është thjesht një mundësi, por diçka që duhet bërë dhe duhet të bërë mirë.

“Të dy vendet duhet të shikojnë përpara dhe të ecin përpara, të tregojnë guxim strategjik e vendosmëri politike dhe t’i kthejnë marrëdhëniet kino-amerikane në rrugën e duhur të zhvillimit të qëndrueshëm sa më shpejt të jetë e mundur, për të mirën e popujve të të dy vendeve dhe të gjithë botës,” u shpreh Xi Jinping-u.

Xi shtjelloi gjithashtu pozicionin e Kinës për ndryshimin e klimës dhe çështje të tjera. Ai tha se Kina vazhdon t’i japë përparësi ruajtjes ekologjike dhe ndjek një rrugë të gjelbër dhe me lëshim të ulët karbonit drejt zhvillimit, dhe ka ndërmarrë nismën për të mbajtur në mënyrë aktive përgjegjësitë ndërkombëtare që u përshtaten kushteve të veta të brendshme.

Presidenti kinez u bëri thirrje më tej departamenteve përkatëse të të dy vendeve që, në bazë të respektimit të shqetësimeve thelbësore të njëri-tjetrit dhe menaxhimit të duhur të dallimeve, të vazhdojnë angazhimin dhe dialogun për të çuar përpara bashkërendimin e bashkëpunimin mbi ndryshimet klimatike, reagimin ndaj COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike, si dhe çështje të tjera ndërkombëtare dhe rajonale.

Ndërkohë, të dy palët mund ta shfrytëzojnë më shumë potencialin e bashkëpunimit për t’u dhënë më shumë impulse pozitive marrëdhënieve përkatëse, tha Xi.

Presidenti Biden nga ana e tij vuri në dukje se bota po ndryshon me shpejtësi. “Marrëdhëniet mes ShBA-së e Kinës janë marrëdhëniet më të rëndësishme në botë dhe e ardhmja e pjesës më të madhe të botës varet nga mënyra se si do të sillen ShBA-ja dhe Kina ndaj njëra-tjetrës.”

“Të dy vendet nuk kanë interes të lejojnë që konkurrenca të kalojë në konflikt. Pala amerikane nuk ka ndër mend ta ndryshojë politikën e ‘Një Kine’. Ajo është e përgatitur të ketë më shumë shkëmbime të sinqerta e diskutime konstruktive me Kinën për të identifikuar fushat kryesore dhe me përparësi ku bashkëpunimi është i mundur, të shmangë keqkomunikimin, llogaritjen e gabuar e konfliktimin e padëshiruar dhe t’i rikthejë marrëdhëniet ShBA-Kinë në rrugën e duhur,” theksoi Biden.

Pala amerikane pret më shumë diskutime dhe bashkëpunim me Kinën për të arritur më shumë pika të përbashkëta lidhur me ndryshimin e klimës dhe çështje të tjera të rëndësishme, shtoi ai.

Të dy presidentët ranë dakord për një komunikim të thelluar mes tyre mbi marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe se çështjet kryesore ndërkombëtare janë shumë të rëndësishme për kthimin e lidhjeve dypalëshe në drejtimin e duhur.

Ata arritën konsensus që tani e tutje të mbajnë kontakte të shpeshta dhe të udhëzojnë zyrtarët në nivel pune të intensifikojnë punën, të zhvillojnë dialog të gjerë dhe të krijojnë kushte për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhëniet kino-amerikane.