Ka dalë foto e Sabrina Bengaj, 23-vjeçares që u vra pa mëshirë nga ish-bashkëshorti i saj Elton Metaj.  Elton metaj në shtatorin e vitit të kaluar mbajti për 5 orë peng gruan dhe prindërit e saj pasi ajo i kishte kërkuar divorcin. Lidhur me këtë veprim ai u dënua, por në korrik të këtij viti doli nga burgu.

Gjatë këtyre ditëve ai i ka kërkuar shpesh që të ribashkohen, por Sabrina nuk ka pranuar. Vëllai i saj, Armando Bengaj u shpreh se autori e vrau motrën me bukë në gojë sapo ajo ishte kthyer nga puna. madje kishte kërcënuar se do ta vriste edhe atë.

Sot në mëngjes policia arreston në pyllin e fshatit autorin e krimit.

Komunikata:

Kapet në kohë rekord dhe arrestohet nga Policia autori i vrasjes së ish-bashkëshortes në fshatin Zhupan mbrëmjen e djeshme.

Pas 3 orë ndjekjesh në kushte të vështira për shkak të errësirës dhe rrezikshmërisë që kishte ky person pasi ishte i armatosur, u kap nga Policia në një zonë të pyllëzuar në fshatin Peshtan autori bashkë me armën e krimit.

Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zhupan, në banesën e ish-vjehrrit, shtetasi Elton Metaj ka vrarë me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij, shtetasen S. B., menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe organizuan punën për kapjen e autorit i cili ishte larguar nga vendngjarja me një motomjet.

Pas 3 orësh ndjekje, nga strukturat e DVP Fier, Forca Operacionale, Forca e Posacme “Shqiponja”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim dhe me 2 grupe të FNSH Fier, falë veprimeve të shpejta, të mirëorganizuara dhe profesionale, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e autorit në një zonë të pyllëzuar të fshatit Peshtan, bashkë me armën e krimit automatik dhe motomjetin me të cilin u largua nga vendngjarja të cilat u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” shtetasin Elton Metaj, 31 vjeç, banues në Peshtan( i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje” ).