Gjashtë gra janë ekzekutuar nga bashkëshortët në tetë muajt e parë të këtij viti. Shkaqet kanë qenë nga më të ndryshmet. Në disa raste sistemi i drejtësisë u ka dhënë lirinë burrave vrasës, ndërsa disa gra kanë qenë me urdhër mbrojtjeje gjatë kohës që janë vrarë.

Fatin tragjik të Sabrina Bengaj që u vra nga bashkëshorti i saj, e kanë pasur edhe pesë gra të tjera. Vrasjet kanë tronditur vendin nga veriu në jug, ndërsa organet e drejtësisë kanë dështuar.

17 mars, vrasja e Irvana Hyka në fier.

Demokrat Medinaj, 29 vjeç, goditi për vdekje 31 herë me thikë gruan e tij, Irvana Hyka, 28 vjeç. E reja ishte 6 javësh shtatzënë. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 17 marsit në lagjen “Sheq i madh” të Fierit, në sytë e fëmijëve të çiftit.

10 prill, vrajsa e Fëllënxa Shirja në Kavajë.

Burri i vuri flakën bashkëshortes së tij për së gjalli në makinë në fshatin Manskuri të Kavajës. Ngjarja horror ndodhi të shtunën e 10 prillit, kur Fëllënza Shirja, 45 vjeçe, u gjet e shkrumbuar në makinë. Çifti ishte në prag ndarjeje prej më se 2 muaj ato ditë do të mbahej seanca përfundimtare për divorcin.

6 maj, vrasja e Luljeta Buzo në Elbasan.

54-vjeçarja Luljeta Buzo, sapo kishte mbaruar seancën për procesin e divorcit në Gjykatën e Elbasanit, kur bashkëshorti Koço Buzo që po e priste jashtë, është afruar dhe ka qëlluar fillimisht me thikë dhe më pas e ka qëlluar 7 herë me kallashnikov pas shpine. Pas krimit 58-vjeçari ka thënë se gruaja donte që të ndahej prej tij dhe këtu kishte nisur zanafilla e konfliktit. Buzo ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje për dhunën që bashkëshorti i kishte ushtruar, por kjo nuk e ndaloi agresorin për ta ekzekutuar gruan para gjykatës.

7 qershor, vrasja e Menderie Bici në Librazhd.

Menderie Bici, 53 vjeçe, u ekzekutua me sëpatë nga bashkëshorti i saj 56-vjeçar, Qemal Bici. Ngjarja e rëndë ndodhi në datën 7 qershor në Dragustrinjë të Librazhdit. Çifti patën një sherr, ku situata agravoi, ndërsa burri mori më pas sëpatën dhe qëlloi gruan e tij në dhomën e gjumit pas koke duke e lënë të vdekur në vend. Qemal Bici ka qenë person problematik, i alkoolizuar dhe shpenzonte shumë paratë. Më herët bashkëshortja e kishte kallëzuar në polici për dhunë.

5 korrik, vrasja e Klarita Ismalaja në Fushë Krujë.

Artan Ismalaja goditi me thikë gruan e tij, Klarita Ismalaja në makinë në Fushë Krujë në datën 5 korrik. Si pasojë e plagëve të marra në qafë, e reja vdiq si pasojë e hemorragjisë. Çifti kishte dy djem, më i madhi është 23-vjeç dhe jetonin prej vitesh në Tiranë. Konflikti mes tyre kishte nisur pasi çifti do të shiste shtëpinë e prindërve të viktimës, pasi familja e vajzës do të transferohej në Tiranë.