Davide Pecorelli është gjetur gjallë në Toscana të Italisë pas 9 muajsh hetime që nga gjetja e makinës së tij të djegur në Pukë. Por këtu nisin një seri telashesh për biznesmenin italian i cili duket se ka inskenuar çdo gjë duke futur policitë e dy vendeve në “qorrsokak” pas muajsh hetime për zhdukje dhe vrasje.

Tashmë ai do të hetohet nga autoritetet shqiptare për mashtrim. Në lidhje me këtë fakt pritet të dërgohet një letër-porosi mes palëve ose vetë 45-vjeçari do të udhëtojnë drejt Shqipërisë për të dhënë sqarime.

Ndërkohë mësohet se kockat e gjetura në makinën e djegur të cilat u hetuan fillimisht si të Pecorellit, janë marrë nga një varrezë e vjetër për të bindur policinë dhe të afërmit se ai ka vdekur.

Shkak i këtij inskenimi gati-gati kinematografik dyshohet të jenë bërë borxhet që kishte Pecorelli në Itali ku disa nga bizneset e tij kishin falimentuar dhe synonte që përmes kësaj skeme të përfitonte siguracionet e jetës.

Vitet e fundit ai lëvizte mes Italisë dhe Shqipërisë, ku ishte lidhur me një grua shqiptare më të cilën kishte edhe një fëmijë. Ndërkohë mediat italiane bënë me dije mëngjesin e sotëm, se ai ka folur në telefon me ish-gruan pasi u gjet në brigjet e Livornos në një gomone , në anën e kundër të shtetit shqiptar prej ku kishte humbur gjurmët 9 muaj më parë.

Kjo duket të qenë pjesë e strategjisë së tij për t’u larguar prej hetuesve të cilët prej kohësh po hetonin në disa pista për “vrasjen”.

Prokuroria shqiptare i kishte dërguar Romës një listë me emrat e biznesmenëve apo edhe personave të tjerë që Davide kishte takuar në Shqipëri, ku merrej me tregtimin e makinave të shtrenjta me vlerë dhjetëra mijëra euro për qendrat e bukurisë.