Nëna e mbijetuar pas përmbysjes së anijes, vdes në det pasi piu urinën e vet për të shpëtuar fëmijët

Një ngjarje tragjike, si në filmat dramatikë, ka ndodhur në mes të detit, ku një nënë ka përfunduar vetëm me të vegjlit në një varkë shpëtimi pasi anija ku gjendeshin u mbyt.

Mariely Chacón, 40 vjeç, nga Venezuela, ishte në bordin e anijes “Thor” më 3 shtator 2021, së bashku me djalin e saj 6-vjeçar, vajzën 2-vjeçare, burrin dhe dadon e fëmijëve.

Familja dhe dado gjendeshin në anije për një udhëtim argëtues nga Higuerote në Ishullin Tortuga në Karaibe, kur fatkeqësia goditi.

Univision njoftoi se anija me të cilën udhëtonin, teksa i afrohej një ishulli të pabanuar, u përplas nga një valë e fuqishme që e copëtoi dhe e përmbyti mjetin lundrues.

Në momente kaosi, nëna ka arritur të kapë për dore dy fëmijët dhe shkëputën një varkë shpëtimi që gjendej në anije dhe u hodhën në det bashkë me të. Në barkë arriti të futej dhe dadoja.

Katër ditë e katër net, dy fëmijët dhe dy gratë u përpëlitën në mes të detit pa u gjetur nga askush.

E ndërkohë, pesë persona të tjerë që kishin qenë në bordin e anijes së goditur – përfshirë babanë, Remis David Camblor – nuk janë gjetur.

Ndërsa vuante zhdukjen e të shoqit, nëna e re përballej dhe me kushtet e tmerrshme në varkë. Veç frikës, nuk kishin as ujë dhe as ushqim.

Nëna e dëshpëruar vendosi që mënyra e vetme për të shpëtuar fëmijët e saj ishte të konsumonte urinën e saj, gjë që i lejoi asaj t’i ushqente me gji gjatë sprovës së rëndë me të cilën po përballeshin.

Ekipet e shpëtimit më në fund zbuluan të mbijetuarit, të cilët përfshinin fëmijët – Jose David 6 vjeç dhe Maria Beatriz Camblor Chacon 2 vjeçe, – si dhe dado e tyre, Verónica Martinez, 25 vjeçe.

Fëmijët u gjetën pranë trupit të nënës së tyre që kishte vdekur.

Mariely Chacón pësoi ndaljes të organeve jetësore për shkak të varfërimit të elektroliteve, shkaktuar nga dehidratimi, i cili ndoshta u përshpejtua nga ushqyerja me gji, tha një burim i mjekësisë ligjore për La República.

Autoriteti Kombëtar Detar i Venezuelës INEA që citon Univision, tha se varka e shpëtimit u pa në 6:20 pasdite më 6 shtator duke u larguar nga ishulli La Orchila. The Sun raportoi se anija e rojës bregdetare AB Carecare arriti në anije në 2:10 pasdite të nesërmen.

“Nëna që vdiq i mbajti fëmijët e saj gjallë duke i ushqyer me gji dhe duke pirë urinën e saj,” tha një zëdhënës i INEA. “Ajo vdiq tre ose katër orë para shpëtimit. Vdiq nga dehidratimi pasi nuk pinte ujë prej tre ditësh”.

Varka e shpëtimit u vu re nga një anije që kalonte më 6 shtator 2021

Funerali i nënës – i cili u mbajt në Karakas më 11 shtator – u transmetua në YouTube.

Babai i saj, Humberto Chacón, tha se udhëtimi fatal ishte nisur “thjesht si një udhëtim familjar për të argëtuar fëmijët”, raportoi gazeta italiane La República.

Kërkimi vazhdon për personat e mbetur, Jose Javier Marcano Narvaez, Alejandro Osorio Graterol, Vianney Carolina Dos Santos Morales dhe Camblor, i cili ishte kapiteni i varkës, tha The Sun.

Zyrtari i INEA tha se ka shumë pak shanse për t’i gjetur.