Krahas akuzave të përhershme ndaj Ramës dhe Lulzim Bashës për tradhti ndaj tij dhe demokratëve duke qenë peng i kryeministrit, Berisha ka radhitur edhe katër akuza të forta gjatë takimit të sotëm në Fier, të cilat nuk ishin përfolur më parë publikisht në vend.

Akuza e parë ka të bëjë me ish-kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili sipas Berishës ishte zyrtari i lartë i Sistemit të Drejtësisë që u kap në përgjimet e prokurorisë në dhjetor 2019 duke folur me një person publik në Shqipëri me qëllim nxjerrjen nga burgu të vëllezërve Aliko kundrejt 750 mijë eurove.

Në atë kohë, personazhi në fjalë nuk u identifikua me emër, por u tha se ishte një zyrtar i lartë i Sistemit të Drejtësisë. Për herë të parë, Berisha nxjerr në publik emrin e personit në fjalë duke thënë se nuk u publikua me qëllim për të mos cënuar Sistemin e Drejtësisë që ishte nën kontrollin e maxhorancës.

Akuza e dytë e Berishës lidhet me Ardian Dvoranin, kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Sipas Berishës, kompania “Albtelecom” i ka shlyer atij një kredi prej 17 mijë eurosh për shtëpinë.

Pas këtij veprimi sipas Berishës, Dvorani dha një numër të madh vendimesh gjyqësore pro “Albtelecom” duke cënuar interesat e qytetarëve. Ky, tha Berisha, “është kampioni i shpallur i anti-korrupsionit”.

Akuza e tretë lidhet me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili sipas tij ishte planifikuar që të nxirrej në pension nga Departamenti i Shtetit. Mirëpo sipas Berishës, Donald Lu u dërgua ambasador në Kirgizistan kundrejt një rryshfeti 10 milion dollar.

Akuza  e katërt e Berishës lidhet me George Sorosin, i cili sipas tij po financon largimin e tij nga politika për shkak të planlulzeve për ndarjen e Kosovës. Sipas ish-kryeministrit, ndarja e Kosovës ishte planifikuar nga zyra e fondacionit të George Sorosit në Beograd, por ndërhyrja publike e tij bëri që ky plan të mos zbatohej. Ky është shkaku sipas Berishës se përse Sorosi po kërkon largimin e tij nga politika.

Të katërta këto akuza janë tepër të forta dhe që deri më tani Berisha nuk i ka thënë asnjëherë në publik.