Policia në Korçë ka vënë në pranga pesë persona në kuadër të operacionit të koduar “Perimetri”, për goditjen e  veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

Bëhet e ditur se në flagrancë u arrestuan  B. Q., 20 vjeç, A. P., 17 vjeç, E. F., 20 vjeç, G. Q., 20 vjeçe banues në Tiranë dhe A. M., 44 vjeç, banues në fshatin Porodinë, Korçë. Katër të rinjtë u kapën në lagjen numër 10 në Korçë  duke transportuar me mjetet tip “Benz” dhe “Audi” 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Gjithashtu policia rrugore ka konstatuar në aksin rrugor Pogradec-Tiranë, pranë fshatit Psikupat, Pogradec, mjetin tip “Benz” me drejtues A. M., i cili po transportonte 4 emigrantë të paligjshëm. Këtyre të fundit, ai u kishte premtuar kalimin drejt shteve të BE-SË,  kundrejt një shume prej 200 euro secilit.