Në konferencën e Komitetit sot, zëvendësministrja Mira Rakacolli, tha se masat në fuqi do të mbeten të pandryshuara pasi situata epidemiologjike, është e qëndrueshme. Ora policore tha Rakacolli do të jetë nga 22:00 deri në 06:00, por aktualisht karantina nis në orën 23:00. Kjo deklaratë, ka shkaktuar konfuzitet, nëse ka ndryshim të orës policore, apo një ngatërresë të momentit.

“Situata mbetet këtë javë relativisht e qëndrueshme, për këtë nuk do të ketë ndryshim të masave në fuqi. Ora policore nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit. Përdorimi maskave do të vijojë i detyrueshëm aty ku e kemi rekomanduar. Do vijojë të mos lejohet grumbullimi i më shumë se 50 veta, për aktivitete sportive e kulturore do organizohen në kapacitete jo më shumë se 30 e ambienteve dhe duke zbatuar protokollet e rekomanduara.

Do vijojë njësoj rregulli i hyrjes në vendin tonë. Do të kërkohet prova e vaksinimit, kush nuk ka certifikatë vaksinimi, duhet të paraqesin provën e kalimit të sëmundjes brenda 180 ditëve, apo testin që janë të negativizuar. Ata që nuk kanë asnjë nga këto dokumente është në fuqi vendimi për vetëkarantimin për 10 ditë”, tha Rakacolli.