Ngjarja ndodhi sot në orët e para të mëngjesit. Një shpërthim i fortë tronditi Gothenburgun në Suedi Sipas mediave suedeze, shpërthimi ndodhi në një ndërtesë në qendër të qytetit dhe mbi 20 persona u transportuan në spital.

Në vendngjarje ndodhen mbi 40 kamionë zjarrfikës dhe shkaku i shpërthimit nuk dihet ende. Ndërkohë është bërë e ditur se një zjarr i madh shpërtheu në ndërtesë pas shpërthimit. Tre gra të moshuara u plagosën rëndë.

“Ne transportuam 20 deri në 25 persona në spital, disa u plagosën rëndë, disa lehtë. Tre gra të moshës 60-80 vjeç u plagosën rëndë”, citohet të ketë thënë spitali lokal.

Policia suedeze njoftoi në faqen e saj në internet se po punon për evakuimin e njerëzve që jetojnë në zonë.

Policia thotë se ka hapur një hetim edhe pse deri më tani nuk ka të dyshuar.

Shërbimet e urgjencës thanë se po punonin për të evakuuar banorët dhe për të shuar zjarrin në ndërtesë.

“Disa apartamente u prekën. Nuk është e qartë për momentin se çfarë e shkaktoi shpërthimin”, thanë shërbimet e urgjencës për zonën më të gjerë të Gothenburg.

Mediat kanë raportuar se si pasojë e zjarrit dhe frikës, njerëzit janë hedhur nga ballkonet.

Një banor, Kristoffer, ka thënë se ai ishte duke fjetur në banesën e tij kur dëgjoi një zhurmë.

“Dëgjova njerëz që bërtisnin. Kur shikova nga shkallët, tymi doli nga banesa dhe kuptuam se duhej të dilnim nga këtu”, ka thënë ai.

Një banore tjetër, Xhesika, rrëfen se ajo u zgjua nga një zhurmë që në 04.30.

Dhe ajo duhej të hidhej nga ballkoni në katin e dytë të ndërtesës për të arritur në vend të sigurt.

“Ne menduam se mund të zbresim shkallët, pasi jetojmë kaq poshtë, por nuk funksionoi. Në vend të kësaj, na u desh të hidheshim nga ballkoni dhe të merrnim ndihmë nga fqinji më poshtë që na priti”, thotë Xhesika.