Evi Kokalari, në “Foltoren” e Sali Berishës ka bërë një deklaratë të fortë, duke thënë Lulzim Basha e ka “shitur” ish-kryeministrin për të mbyllur dosjen e tij që kishte në SHBA, sa i përket lobimit rus.

Kjo solli edhe reagimin e ashpër të PD-së, e cila përmes një deklarate njofton se do ta padisë penalisht për shpifje Kokalarin.

“Një spekulante politike, Evi Kokalari, guxoi sot të përsëriste përpara shqiptarëve shpifjet e Edi Ramës dhe Taulant Ballës ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha. Autoritetet përgjegjëse me kërkesë të vetë Partisë Demokratike hetuan për 2 vite lidhur me shpifjen e Edi Ramës dhe Taulant Ballës, duke provuar në mënyrë ligjore dhe përfundimtare se ato ishin vetëm shpifje.

Ricikimi i të njëjtave shpifje, bëhet për të njëjtin qëllim, atë të mbajtjes në këmbë të regjimit kriminal të Edi Ramës. Për këtë arsye, Partia Demokratike do të padisë nesër penalisht për shpifje znj. Evi Kokalari, e cila mund të paraqitet në gjykatë për të provuar akuzat e rreme me dëshmitarët e saj të rremë Edi Ramën dhe Taulant Ballën”, thuhet në reagimin e PD.

Çfarë tha Kokalari

“Kam dëgjuar shumë që Lul Basha është marrë peng. Ne kemi biseduar lidhur me arsyet pse Berisha është larguar nga grupi parlamentar, është bërë fakt korrupsioni i tij. Berisha është përjashtuar nga grupi sepse është shkëmbyer me mbylljen e dosjes së korrupsionit të Lul Bashës. Prandaj është përjashtuar Berisha nga grupi.

Disa më kanë thënë që unë të bëhem kryetare e PD-së dhe shumë po thonë se prandaj i rri atij afër, por unë nuk kam nevojë që të bëhem kryetare e PD-së, sepse ajo e ka një kryetar tashmë dhe ai është Berisha. Unë do të vazhdoj të ndihmoj qysh kur nisi çështja e Berishës. Ndërkohë Basha ka një dosje në Shqipëri dhe në SHBA. Basha nuk kishte pse i fshinte fondet e tij për të lobuar në SHBA për veten e tij.”