Ndërsa kryekamarieri Gazment Kurmaku në Elbasan u përcoll dje për në banesën e fundit, policia ndodhet në kërkim të Erjon Llapushit, klientit që e qëlloi atë për vdekje për një vend në tavolinë.

Erjon Llapushi, me precedentë penalë, është shpallur në kërkim kombëtar, pasi dhunoi me grushte dhe sende të forta 50-vjeçarin Gazmend Kurmaku, për shkak se ky i fundit i tha se tavolina ku ishte ulur Llapushi si klient ishte e rezervuar.

Në sherr e sipër, 50-vjeçari u përplas me kokë në një pjesë betoni, duke përfunduar në vdekje klinike. Kurmaku ndërroi jetë gjatë ditës së enjte në Spitalin e Traumës në Tiranë ku u transferuar natën e ngjarjes.

Policia po kryen kërkime edhe në qytetin e Pogradecit, ku Llapushi është banues.

Policia e Elbasanit ka marrë në pyetje biznesmenin dhe punonjësit e tjerë të restorantit, ndërsa janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë.

E SHKUARA E AUTORIT

Erjon Llapushi është emër i njohur në radhët e Policisë. Më 5 maj të vitit të shkuar, Operacioni Forca Operacioni zbarkoi edhe në Pogradec dhe midis emrave ku kërkonte sqarime për pasurinë ishte edhe Llapushi. Në atë periudhë ai ndodhej në qelitë e paraburgimit, pasi dyshohej se ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që përmes shantazhit dhe dhunës, kanë detyruar biznesmenët e Pogradecit të dhurojnë aksionet e tyre.

Erjon Llapushi rezulton të ketë tjetërsuar një pjesë të aksioneve të bizneseve duke ua dhuruar më pas personave të tretë, gjithashtu me precedentë penalë.

Në dëshmitë e zbardhura të aksionarëve të kompanive, iu shpjegohet hetuesve brutaliteti me të cilin vepronin anëtarët e bandës, me qëllim që ata të firmosnin kontratat për dhurimin e aksioneve.

Në dhjetor të 2018 dy vëllezër biznesmenë kanë kërkuar ndihmë nga Policia, çka çoi më pas edhe në arrestimin e Llapushit dy muaj më vonë. Ndërkohë, më 29 maj 2021 ai ra në pranga në kuadër të operacionit “Perimetri” pasi u kap duke transportuar 24 emigrantë të paligjshëm në zonën e Pogradecit.

Ende nuk dihet se si Llapushi ka rifituar lirinë për një periudhë kohore brenda pak muajsh. Në njoftimin e Policisë për atë rast thuhet se Llapushi ishte dënuar edhe për plagosje në vitin 2008, ngjarje e ndodhur në një lokal në Pogradec. Më 1 maj të vitit 2007 Llapushi kishte tentuar të vetëvritej.

Policia e Elbasanit po bashkëpunon me atë të Korçës për kapjen e autorit për të cilin dyshohet se fshihet në zonën e Pogradecit, pasi banon në këtë qytet.

Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme Gazmend Kumaku ndërroi jetë, pasi ndodhej prej ditësh në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.