Kryeministri i vendit Edi Rama, në një dalje televizive adresuar qytetarëve, është duke prezantuar planin e qeverisë për mbrojtjen nga kriza e paralajmëruar energjitike.

Kreu i qeverisë përpara se të nisë me prezantimin e planin ka bërë një bilanc të punës së qeverisë së drejtuar nga ai ndër vite, duke edhe argumentuar se pse nuk mund të rriten pagat dhe pensionet “sipas dëshirës.”

“Nuk ekziston asnjë kryeministër, dhe më i keqi në botë, që dëshirën e vet më të parë nuk ka të rrisë pagat e pensionet. Por nuk mund të rrisësh paga e pensione përtej aftësive të arkës së shtetit.”

Duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha që është shprehur se 8 vite më parë vendi ka pasur pagat më të larta në rajon, ndërsa tani realiteti është tërësisht e kundërta, Rama tha se “opinionet nuk janë fakte” dhe se shifrat flasin ndryshe.

Disa thonë, u shpreh Rama, që ta bëjmë pensionin minimal 300 euro dhe pagën minimale 500 euro. Por, nëse do të bëhej kjo realitet, sipas kreut të qeverisë, vendi do të futej në krizën e parë të urisë.

“Nëse e bëjmë qoftë edhe 300 mijë lekë pensionin minimal, në fund të vitit që vjen nuk duhet të bëjmë më investime, dhe pas dy vitesh do të shihnim falimentimin më të madh të shtetit. Do të shihnim çdo të thotë në të vërtetë të vdesësh për bukë. Nëse paga minimale bëhet 500 euro, në më pak se një vit hyjmë në krizën e parë të urisë.” 

Gjithashtu, duke kundërshtuar deklaratat e opozitës, kryeministri u shpreh se gjatë qeverisjes së tij çmimi i energjisë është ulur, bizneset dhe bujqësia paguajnë më pak taksa. Ai solli në vëmendje se që prej se ka ardhur në pushtet pagat e ministrave dhe deputetëve nuk janë rritur, ndërsa e kundërta ka ndodhur me taksimi e këtyre pagave.

“Paga e ministrave dhe e deputetëve nuk është rritur asnjëherë. Kurse taksa në pagën e tyre është rritur. Kur unë ngjita këto shkallë, paga ime taksohej më pak se ajo e sanitareve.”