Prej më shumë se një viti kur shqiptarët ashtu si e gjitha bota janë mbërthyer nga frika për shkak të COVID-19 biznesi i ka lulëzuar kontrabandistit, Florian Marku, i cili është distributor i madh i ilaçeve, që së bashku me pesë persona të tjerë, mes tyre 3 administratorë që kanë në zotërim depo farmaceutike, janë arrestuar.

Dy ditë më parë SPAK zbuloi skemën e mashtrimit përmes së cilës operonin Marku dhe personat e tjerë të arrestuar. Marku duke përfituar nga nevoja dhe frika gjatë pandemisë ka mashtruar shtetin dhe qytetarët.

Së pari ai ka futur ilaçe kontrabandë në sasi të mëdha, pjesa dërrmuese që përdoreshin për t’u mjekur kundër COVID-19 duke i shpërndarë përmes Margarita Xhaxhiut. Së dyti janë qytetarët që e kanë pësuar, që nga ankthi dhe frika kanë paguar sa “qimet e kokës” pa asnjë garanci për atë që kanë blerë.

Duke mashtruar në dy krahët, shtetin duke shmangur taksat dhe detyrimet dhe qytetarët me çmimet dhe cilësinë, Marku vetëm ka shtuar zerot në llogarinë e tij. Oligarku i ilaçeve, Florian Marku ka në pronësi tre farmaci “Flori”; “Flori 2”; “Flori 3” në Tiranë duke bërë kërdinë.

Lexo edhe: Shisnin ilaçe kontrabandë në pandemi, dalin emrat e 4 administratorëve të arrestuar në Tiranë

Tashmë Florian Marku me personat e tjerë të arrestuar do të përballen me akuzat “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe i pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin” dhe “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”.

Të gjithë të arrestuarit gjatë operacionit janë;

Blerim Bitri 40 vjeç, administrator i një farmacie;

Florian Marku 39 vjeç, administrator farmacish;

Margarita Xhaxhiu 64 vjeçe, e dyshuar si dërguesja e mallrave kontrabandë;

Jani Papuli 66 vjeç, i punësuar nga Margarita Xhaxhiu.

Florian Lila 40 vjeç, administrator i një farmacie;

Bashkim Osmani 56 vjeç, administrator i një depoje farmaceutike.