Prej vitit 1992. 10 tetori njihet si Dita Botërore e Shëndetit Mendor. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shëndeti mendor është mirëqenie në të cilën një individ realizon potencialin e tij ose të saj, mund të përballojë streset normale të jetës, punon në mënyrë produktive dhe kontribuon në komunitet”. Shëndeti mendor është shumë më tepër sesa mungesa e sëmundjes; është gjithashtu një mirëqenie që përfshin kapacitetin për të krijuar dhe mbajtur marrëdhënie, për të mësuar, për të punuar, për pushim dhe rekreim, si dhe mundësinë dhe të drejtën për vendime dhe zgjedhje personale. I përkthyer në këtë mënyrë, shëndeti mendor është një burim themelor personal dhe shoqëror, që kontribuon në kapitalin njerëzor, fizik dhe shoqëror në komunitet. Nga ana tjetër, shëndeti mendor i çrregulluar shoqërohet me një sërë disavantazhesh shoqërore, abuzim me të drejtat themelore të njeriut, përkeqësim të shëndetit fizik, ulje të produktivitetit dhe rritje të rrezikut nga sëmundje serioze psikiatrike.

Në vitet e fundit, gjithnjë e më shumë po vërtetohet rëndësia e shëndetit mendor në arritjen e qëllimeve të zhvillimit global, gjë që dëshmohet nga përfshirja e shëndetit mendor në qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm.

Në të gjithë globin, më shumë se 450 milionë njerëz vuajnë nga çrregullime të spektrit mendor. OBSH-ja vlerëson se rreth 151 milionë njerëz vuajnë nga depresioni, 26 milionë nga skizofrenia dhe 125 milionë nga çrregullimet lidhur me alkoolin.

Rreth 20% e fëmijëve dhe adoleshentëve në botë kanë probleme me shëndetin mendor. Depresioni është një nga shkaqet kryesore të kufizimit të aftësive të tyre. Vetëvrasja, nga ana tjetër, është shkaku i dytë kryesor i vdekjes tek të rinjtë e moshës nga 15-29 vjeç. Njerëzit me gjendje të rënda të shëndetit mendor vdesin para kohe, madje edhe dy dekada më herët.

Pavarësisht përparimit në disa vende, njerëzit me probleme të shëndetit mendor shpesh përballen me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, diskriminim dhe stigmatizim.

Çrregullimet e shëndetit mendor po shënojnë një rritje në të gjithë botën. Kryesisht si rezultat i ndryshimit demografik, në dekadën e fundit, çrregullimet e shëndetit mendor kanë shënuar një rritje prej 13% (deri në vitin 2017).

Çrregullimet mendore mund të ndikojnë ndjeshëm në të gjitha fushat e jetës, si aftësitë për të mësuar dhe për të punuar, marrëdhëniet me familjen dhe miqtë dhe aftësinë për të marrë pjesë në komunitet. Dy nga gjendjet më të zakonshme të shëndetit mendor, depresioni dhe ankthi, ekonomisë globale i kushtojnë rreth 1 trilion dollarë për çdo vit.