Dy të rinj mbetën të plagosur pasditen e sotme në zonën e Ish-Parkut të Autobusëve. Aleksandër Nikolli 27-vjeç dhe Xhulio Vela 25-vjeç u qëlluan me armë zjarri rreth orës 17:30, në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda” dhe “Frosina Plaku”.

Raportohet se të plagosurit kanë marrë plumba në pjesën e këmbëve. Ndërkohë të dy të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital ku po u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale për të nxjerrë plumbat.

Sipas të dhënave paraprake mes dy të plagosurve dhe disa personave të tjerë ka pasur një sherr fizik. Dyshohet se në këtë sherr janë përfshirë rreth 5 persona. Më pas ky sherr ka shkuar deri në përdorimin e armëve të zjarrit.

Autori/ët e kësaj plagosje kanë qëlluar me pistoletë ndërsa dyshohet se u larguan me një makinë.

Kjo është ngjarja e dytë brenda 24 orëve që ndodh plagosje. Mbrëmjen e djeshme një 22-vjeçar u plagos me armë zjarri tek Komuna e Parisit në kryeqytet.