Kontrollit të qarkullimit rrugor i është shtuar ‘makina inteligjente’ mjeti më i ri inovativ për ta bërë kontrollin më të thjeshtë dhe praktik.

Prej disa ditëve në funksion makina inteligjente ka arritur të evidentojë dhe të ndëshkojë drejtuesit e mjeteve që kanë qarkulluar jashtë normave të lejuara të shpejtësisë, shoferë të cilët nuk kanë mbajtur rripin e sigurimit si dhe përdoruesit e celularit gjatë drejtimit të automjeteve.

Gjatë mbrëmjes së sotme Policia rrugore nëpërmjet metodikës së re ka konstatuar në rrugët e kryeqytetit dhe në autostradën Tiranë- Durrës 724 raste të shpejtësisë mbi normat e lejuara. 167 raste të tjera të drejtuesve të cilët kanë përdorur celularin dhe 123 raste të mos vendosjes së rripit të sigurimit. Drejtuesit e automjeteve të cilët do të konstatohen nga makinat inteligjente në shkelje të rregullave rrugore do t’i shkojë masa administrative në adresat e tyre të banimit.

Me këtë risi Policia e Shtetit apelon qytetarët të jenë më të kujdesshëm në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.