I ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga përmes një lidhjeje Skype neurokirurgu shqiptar që punon në SHBA, Emal Lesha foli për diskutimet e fundit të jetës, teksa theksoi se neurokirurgët kanë biseda të tilla të çdo ditë. Sipas tij, në rastet kur pacientët kanë sëmundje të pashërueshme, biseda për vdekjen duhet bërë së pari në familje. Ai shtoi se në SHBA, këto biseda bëhen herët në familje. Lesha përmendi edhe rastet kur pacientët mes intubimit dhe vdekjes zgjedhin këtë të fundit.

“Diskutimet e fundit të jetës janë të komplikuara. Për fat të keq si neurokirurgë këto diskutime i bëjmë çdo ditë. Sëmundje vaskulare, tumore, trauma. Ndodh që familjari bën atë pyetjen “A mund të mos i thuash pacientit që do të vdesë?Është çështje e komplikuar dhe mund të trajtohet në baza të veçanta. Ne si mjekë kemi vetëm një dëshirë, të ndihmojmë pacientin. Ndonjëherë i bëjmë me pacientin këto diskutime. “Nëse do të kishe një sëmundje të keqe, do doje ta dije apo jo?

Në Amerikë bëhet një bisedë e këtij tipi në familje. Fëmijët me prindërit. I bëjnë bisedat të tipit, nëse je në një situate që mjekët mund të të japin çfardolloj trajtimi të mundshëm apo të të lënë të vdesësh qetësisht, çfarë do ti të bësh? Shumë njerëz vijnë me dokumenta që nëse do tu duhet të intubohen, thonë mos më intubo. Ka raste kur nuk i themi pacientit që do të vdesë, duke besuar familjarët që ata e dine çfarë është më e mira për pacientin. Diskutimet është e rëndësishme të bëhen në familje. Në Shqipëri nuk bëhen këto diskutime”.