Në draftin e propozuar nga PD-ja për ndryshimet kushtetuese pjesën më të madhe e zënë nenet për realizimin e një procesi të vettingu të politikanëve, që sipas PD-së, synon një katarsis.

Po cilët janë zyrtarët që do të futën në lupën e SPAK?

Sipas nismës të siguruar nga Gazeta Shqip, funksionarët publikë që i nënshtrohen procesit të kontrollit të integritetit janë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri dhe ministrat, Presidenti i Republikës, kryetari i bashkisë,Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit.

Por jo vetëm kaq kontrollit të pasurisë i nënshtrihen edhe familjarët e zytarëve dhe të politikanëve.

“Kontrollit i nënshtrohen edhe personat e lidhur me funksionarin publik të përmendur në pikën 1, ku përfshihen bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmijët në moshë madhore, si dhe çdo person tjetër i përbërjes familjare të këtyre funksionarëve. Në rastet e përcaktuara nga ligji, kontrollit i nënshtrohen edhe persona të tjerë të lidhur me funksionarin publik ku përfshihen bashkëshortët e fëmijëve në moshë madhore, vëllezërit dhe motrat dhe bashkëshortët e tyre, personat me miqësi të njohur apo lidhje familjare me funksionarin publik, një zyrtar apo person tjetër me lidhje varësie, qoftë edhe të tërthortë, për shkak të funksionit publik me funksionarin në fjalë, si dhe çdo person fizik apo juridik me të cilin zyrtari ka pasur ose ka marrëdhënie interesi të çfarëdo lloji”, thuhet në këtë projektligj.

Ky lloj vettingu do të shtrihet jo vetëm në burimin e të ardhurave dhe të pasurive, por edhe në faktin nëse politikanët apo zytarët kanë lidhje ose jo me personat e inkriminuar. “Funksionarët publikë plotësojnë dhe i dorëzojnë SPAK një deklaratë të detajuar për figurën e tyre që mbulon një periudhë 10 vjet përpara deri në datën e deklarimit, sipas ligjit”, thuhet në këtë propozim.

Ndërsa parashikohet që në këtë proces të përfsihet edhe Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të japë vendimin për të përfunduar mandatin e zyrtarëve ose jo. Kjo sipas PD-së, procesi kalon në dy filtra. Ndërsa përcaktohet dhe ngritja e një strukure të posaçme e SPAK.

Neni 176/1

Qëllimi i kontrollit të integritetit

1. Kontrolli i integritetitështë një proces i posaçëm verifikimi që përfshin kontrollin e thelluar të pasurisë dhe të pastërtisë së figurës. Ai kryhet me qëllim mbrojtjen dhe garantimin e mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, dhe institucioneve kushtetuese, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i funksionarëve që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht.

2. Kontrolli i pasurisë nënkupton verifikimin e ?do të drejte reale në formën e pronësisë, përdorimit dhe posedimit mbi sendet që përcaktohen në legjislacionin në fuqi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë, si dhe ?do interes privat i subjektit. Pasuria konsiderohet e ligjshme, vetëm nëse përfshinë të ardhura të ligjshme, si dhe ?do pasuri tjetër, e fituar me mjete të ligjshme dhe për të cilën ligji në fuqi nuk ka patur ndalesë për funksionarin publik që të fitojë pronësinë, përdorimin apo posedimin.

3. Kontrolli i pastërtisë së figurës për të verifikuar kontaktet e papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar nënkupton verifikimin e ?do forme kontakti fizik apo jo, me dashje dhe jo rastësore, që përfshin, por pa u kufizuar, takimet ose biseda dhe komunikime elektronike, dhe që nuk përputhen me natyrën e ushtrimit të rregullt të detyrës nga funksionari publik, pavarësisht nëse ka ndikuar apo jo në ushtrimin e saj, me çdo person që është dënuar apo proceduar penalisht, brenda apo jashtë Shqipërisë, për një nga veprat e parashikuara në legjislacionin në fuqi për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, me përjashtim të rastit kur është deklaruar i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë. Personi konsiderohet i përfshirë në krimin e organizuar edhe kur: a) procedimi penal i filluar ndaj personit pushohet nga organi procedues për shkak të pamjaftueshmërisë së provave, të vdekjes së personit, apo se personi nuk mund të merret si i pandehur dhe nuk mund të dënohet; b) personi deklarohet i pafajshëm penalisht për shkak të pamjaftueshmërisë së provave, apo se vepra penale është kryer nga një person, që nuk mund të akuzohet ose dënohet.

4. Kontrolli i integritetit është i përkohshëm dhe i përhershëm. Kontrolli i përkohshëm kryhet për funksionarët publikë që janë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe duhet të përfundojë brenda 3 vitëve. Kontrolli i përhershëm kryehet brenda një viti nga fillimi i ushtrimit të funksionit për herë të parë, ose në çdo rast kur paraqiten të dhëna shtesë për një funksionar publik që ka kaluar më parë procesin e kontrollit të integritetit. Kontrolli i përhershëm i integritetit zbatohet deri në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

5. Kontrolli i integritetit do të kryhet mbi bazën e parimeve të procesit të rregullt, si dhe duke respektuar të drejtat themelore të individit.

6. Rregullat e hollësishme për kryerjen e kontrollit të integritetit përcaktohen me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Neni 176/2

Subjektet e kontrollit të integritetit

1. Funksionarët publikë që i nënshtrohen procesit të kontrollit të integritetit janë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri dhe ministrat, Presidenti i Republikës, kryetari i bashkisë,Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit.

2. Kontrollit i nënshtrohen edhe personat e lidhur me funksionarin publik të përmendur në pikën 1, ku përfshihen bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmijët në moshë madhore, si dhe çdo person tjetër i përbërjes familjare të këtyre funksionarëve. Në rastet e përcaktuara nga ligji, kontrollit i nënshtrohen edhe persona të tjerë të lidhur me funksionarin publik ku përfshihen bashkëshortët e fëmijëve në moshë madhore, vëllezërit dhe motrat dhe bashkëshortët e tyre, personat me miqësi të njohur apo lidhje familjare me funksionarin publik, një zyrtar apo person tjetër me lidhje varësie, qoftë edhe të tërthortë, për shkak të funksionit publik me funksionarin në fjalë, si dhe çdo person fizik apo juridik me të cilin zyrtari ka pasur ose ka marrëdhënie interesi të çfarëdo lloji.

Neni 176/3

Kontrolli i pastërtisë së figurës

1. Funksionari publik dorëzon një deklaratë dhe i nënshtrohet një kontrolli të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Kontrolli i figurës për lidhje me personat e përfshirë në krimin e organizuar bazohet në deklaratën për figurën dhe prova të tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja. Deklarata mund të përdoret si provë vetëm në këtë proces dhe në asnjë rast gjatë një procesi penal. Funksionarët publikë plotësojnë dhe i dorëzojnë SPAK një deklaratë të detajuar për figurën e tyre që mbulon një periudhë 10 vjet përpara deri në datën e deklarimit, sipas ligjit.

2. Nëse funksionari publik ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

3. Nëse funksionari publik nuk e dorëzon në kohë deklaratën për figurën, apo bën deklarime të pasaktë, ose fsheh kontaktet me persona të përfshirë në krimin e organizuar, zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

Neni 176/4

Kontrolli i pasurisë

1. Funksionari publik i nënshtrohet deklarimit dhe kontrollit të pasurive të tyre, me qëllim që të identifikohen ata që kanë në pronësi ose në përdorim pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikohen ligjërisht, ose ata që nuk i kanë deklaruar saktësisht dhe plotësisht pasuritë e tyre dhe të personave të lidhur.

2. Funksionari publik dorëzon një deklaratë të re dhe të detajuar të pasurisë në përputhje me ligjin për efekt të kontrollit të integritetit. Funksionari publik duhet të shpjegojë burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave. Nëse funksionari publik ka një pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme, ai konsiderohet se disponon pasuri të pajustifikuar ligjërisht dhe ndaj tij zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

3. Nëse funksionari publik nuk e dorëzon deklaratën e pasurisë në kohë sipas ligjit, apo fsheh ose paraqet në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim ose në përdorim të tij, ai konsiderohet sikur disponon pasuri të pajustifikuar ligjërisht dhe ndaj tij zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

Neni 176/5

Organet përgjegjëse për kryerjen e procesit të kontrollit të integritetit

1. Pranë SPAK ngrihet Sektori i luftës ndaj korrupsionit dhe garantimit të integritetit në rradhët e funksionarëve të lartë shtetërore, që përbëhet nga 6 prokurorë të SPAK, të zgjedhur me short çdo 3 vjet. Shqyrtimi i çështjes së një funksionari publik për kontrollin e integritetit shqyrtohet nga një Kolegj Vlerësimi i përbërë nga 3 prokurorë nga Sektori i i Luftës ndaj Korrupsionit dhe garantimit të integritetit në rradhët e funksionarëve të lartë shtetërore, të caktuar rast pas rasti me short.

2. Vendimi i konfirmimit në funksion apo moskonfirmimit në funksion merret nga Kolegji i Vlerësimit pranë SPAK. Në rast se vendoset moskonfirmimi në detyrë, funksionari publik pezullohet nga detyra, derisa vendimi të jetë përfundimtar. Për të siguruar funksionimin normal të institucioneve kushtetuese, vendimmarrja në procesin e kontrollit të integritetit bëhet sipas një rradhe dhe afateve të përcaktuar me ligj, që garantojnë vijimin pa ndërprerje të punës së institucioneve kushtetuese. Të parët që i nënshtrohen procesit të kontrollit të integritetit janë anëtarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të garantimit të integritetit të funksionarëve të lartë shtetërore.

3. Procesi individual për një funksionar publik për kontrollin e integritetit nuk mund të zgjasë më shumë se 1 vit nga momenti që Kolegji i Vlerësimit fillon shqyrtimin e thelluar të çështjes.

4. Vendimi i konfirmimit në funksion i dërgohet për vendimmarrje përfundimtare Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqyrtimi i çështjes në Gjykatën e Posacme të Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar shqyrtohet nga një trupë gjyqësore e përbërë nga një gjyqtar, i caktuar rast pas rasti me short. Nëse tre anëtarë të Komisionit të Posacëm Parlamentar janë kundër vendimit të konfirmimit në detyrë ato paraqesin argumentet e tyre, me shkrim ose në senacë publike, pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mund të vendos lënien në fuqi të vendimit të SPAK për konfirmimin në funksion, ose prishjen e vendimit të SPAK dhe moskonfirmimin në funksion të funksionarit publik. Vendimi i kësaj gjykate për konfirmimin në funksion është përfundimtar.

5. Vendimi i SPAK për moskonfirmimin në detyrë, apo vendimi i Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për prishjen e vendimit të SPAK për konfirmimin në detyrë dhe moskonfirmimin në funksion të funksionarit publik, mund të ankimohet nga funksionari publik brenda 30 ditëve nga vendimi pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqyrtimi i çështjes në Gjykatën e Posacme të Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar shqyrtohet nga një trupë gjyqësore e përbërë nga tre gjyqtarë, të caktuar rast pas rasti me short. Nëse vendimi i moskonfirmimit lihet në fuqi, cështja i dërgohet për shqyrtim përfundimtar Gjykatës Kushtetuese

6. Gjykata Kushtetutese vendos përfundimisht që mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose kanë pasuri të pajustifikuar ligjërisht. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese urdhëron ndalimin për t’u zgjedhur apo emëruar në një funksion publik për një periudhë 15 vjet. Gjykata Kushtetuese shqyrton çështjen në seancë plenare.

7. Gjatë periudhës së shqyrtimit të ankimit funksionari publik i pezulluar nga funksioni paguhet në masën 75 për qind të pagës. Nëse pranohet ankimi duke shfuqizuar vendimin e moskonfirmimit në detyrë, pjesa prej 25 për qind e pagës i paguhet funksionarit publik për të gjithë periudhën e ndërprerjes. Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese që urdhëron ndërprerjen e mandatit apo pavlefshmërinë e tij, hyn në fuqi menjëherë.

8. Nëse gjatë procesit të kontrollit të integritetit konstatohen të dhëna që krijojnë dyshimin për kryerjen e një vepre penale nga funksionari publik, SPAK ka detyrimin të nis procedimin penal menjëherë pas marrjes së vendimit përfundimtar për procesin e kontrollit të integritetit.