Aksioni i paralajmëruar ditën e djeshme nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku për heqjen e mjeteve të palijgshme të transportit publik ka nisur që sot duke u zbatuar.

Ditën e sotme, aksionet e Task-Forcës janë fokusuar kryesisht në Tiranë, rrugët hyrëse dhe dalëse të kryeqytetit, ndërsa në ditët në vijim aksioni do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit. Nga kontrollet e ushtruara të janë konstatuar një sërë drejtuesish mjetesh të cilët ushtronin aktivitetin e transportit të pasagjerëve pa qenë të pajisur me licencë, apo raste ku licenca kishte kaluar afatin e vlefshmërisë. Brenda pak orëve, nga ana e Task Forcës, janë ndëshkuar afro 10 subjekte.

Një ditë më parë, përfaqësuesit e Shoqatave të Transportit Publik në vend i kërkuan ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në takimin që zhvilluan me të, ndëryrjen ndaj subjekteve të cilët ushtronin aktivitetin e transportit të pasagjerëve pa qenë të pajisur me licencën e nevojshme. Sipas tyre, konkurrenca e pandershme po dëmtonte operatorët e licensuar të cilët ndodhen në pozitë të vështirë për shkak të fazës së post pandemisë.

Ministrja Balluku paralajmëroi nisjen e një aksioni të gjerë kundër goditjes së kësaj paligjshmërie dhe që do të vijojë edhe në javët në vijim. Gjatë takimit që zhvilloi me përfaqësuesit e Shoqatave të Transportit Ndërqytetas lidhur me situatën në këtë sektor Balluku paralajmëroi se do të veprohet me “grusht të hekurt”.

Takimi me Ballukun erdhi pak ditë pasi Shoqata e Transportit Qytetas në Tiranë njoftoi se ka përgjysmuar flotën e autobusëve në rrugët e kryeqytetit me argumentin se kishin kosto të larta për shkak të shtrenjtimit të naftës. Shoqata kërkon indeksim të çmimit të karburantit duke kërcënuar se nëse nuk merren masa, atëherë në nëntor do të operojnë më 20% të kapacitetit.