Qeveria ka dërguar për miratim në Kuvend Projektligjin për Buxhetin e Shtetit 2022 duke parashikuar një rritje ekonomike prej 4.1 për qind.

Vërehet një rritje e buxhetit për sektorë si Bujqësia dhe Infrastruktura pas problemeve që u hasën me rritjen ekonomike të vitit të shkuar për shkak të pandemisë.

Ministria e Financave ka parashikuar të shpenzojë rreth 637 miliard lekë kundrejt 536 miliard lekëve të ardhura duke shkaktuar një deficit buxhetor prej 101 miliard lekësh. Këto para do të sigurohen përmes marrjes borxh ne tregun e brendshëm dhe të jashtëm.

Por, sa para planifikohet të marrë secili institucion për 2022?

Ministria e Financave ka parashikuar një rritje të buxhetit me 700 mijë lekësh për Presidencën në 2022. Nga 105.3 milion  lekë në 2021, Presidenca do të marrë një fond prej 106 milion lekësh.

Kuvendi merr thuajse të njëjtin fond me vitin 2021 edhe gjatë 2022. Institucioni i drejtuar nga Lindita Nikolla do të marrë 546 milion lekë.

Ajo që bie në sy është ulja e buxhetit për Kryeministrinë. Gjatë 2021, ky institucion pati një buxhet prej 258 milion lekësh, kurse në 2022 Ministria e Financave i ka planifikuar një fond prej rreth 240 milion lekësh.

Qeveria ka shtuar edhe me 2 miliard lekë buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, e cila në 2022 planifikohet të ketë një fond prej 24.4 miliard lekësh. Fondi shtohet në kuadër të investimeve që janë parashikuar në këtë sektor si edhe për të mbështetur prioritetet e përcaktuara për vitin e ardhshëm.

Qeveria ka rritur  buxhetin edhe për Policinë e Shtetit, e cila do të marrë në 2022 rreth 130 milion lekë më shumë krahasuar me 2021.

Buxheti i SHISH nuk ndryshon, mbetet në 1.1 miliard lekë. E njëjta situatë paraqitet edhe në fondin e Ministrisë së Mbrojtjes, i cili mbetet i njëjtë sa vitin e shkuar. 

Më shumë nga biseda me doktor Xhihan Abazoviç :