Policia nigeriane ka arrestuar një të ri që u përpoq të shiste veten në ankand për t’i shpëtuar varfërisë. Sipas autoriteteve lokale, rrobaqepësi 26-vjeçar Aliyou Idris u arrestua të martën nga policia e Kano-s, pasi fotot e tij u publikuan në rrjetet sociale, ku ai deklaronte se po shiste veten, me një çmim fillestar, prej 20 milionë naira (afërsisht 42,000 euro).

Kano, në Nigerinë veriore, është një nga dhjetë shtetet myslimane në vend ku Sheriati, ligji islamik, zbatohet paralelisht me ligjin nigerian.

“Ne e arrestuam atë sepse ai e nxori veten në shitje, kjo është e paligjshme sipas ligjit islamik,” tha Laval Ibrahim Fage, një zëdhënës i policisë fetare të Hezbollahut.

I riu ndodhet në paraburgim, shtoi ai, duke shpjeguar se këtë “veprim të papranueshëm” e ka bërë për shkak të varfërisë dhe injorancës së tij, përcjell abcnews.al.

Javën e kaluar, Idrisi po qarkullonte në qytet me pankartën dhe “çmimin” e varur në qafë. Banorët i kanë bërë foto të cilat kanë bërë bujë në internet.

Ai u tha gazetarëve se donte të shitej për t’i shpëtuar “varfërisë së padurueshme” dhe se gjysmën e parave do t’ua jepte prindërve dhe dy milionë naira atij që do të organizonte ankandin. Ai gjithashtu premtoi se do të bëhej “shërbëtori besnik” i atyre që e blenë.

Nigeria, prodhuesi më i madh i naftës në Afrikë, është goditur rëndë nga pandemia dhe masat kufizuese. E përballur me një recesion për herë të dytë në pesë vjet, ekonomia e saj ka filluar të rimëkëmbet vetëm muajt e fundit. Por inflacioni, veçanërisht në ushqim, mbetet shumë i lartë , duke përkeqësuar varfërinë e shumë banorëve, shumica e të cilëve janë të detyruar të jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë.

Më shumë nga biseda me doktor Xhihan Abazoviç :