Biznesmeni Ruzhdi Hoxha u gjet i vdekur sot në një greminë në Dajt.

Për gjetjen e tij policia thotë se ka 10 ditë që punon.

Detaji që i ndihmoi efektivët duket se ka qenë një xhup i tij i gjetur i flakur diku në afërsi të vendngjarjes.

Burime zyrtare të policisë bëjnë me dije se si rezultat i kërkimeve dhe punës hetimore 10 ditore të bërë nga grupi hetimor në Sektorin për Krimet e Rënda në DVP Tiranë u bë e mundur grumbulllimi i provave për autorësinë e kësaj ngjarje dhe shërbimet e policisë bënë të mundur që në zonën e Dajtit të gjenin një xhup ku pas verifikimeve rezultoi se i përkiste shtetasit Ruzhdi Hoxha.

Nisur nga gjithë provat e grumbulluara, paraditen e sotme, Strukturat Hetimore të DVP Tiranë, Komisariati i Policisë Nr.4, Forcat Shqiponja, Fnsh dhe Instituti i qenëve të Policisë nën koordinimin e Deparatamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, zhvilluan një operacion kërkimi masiv në të gjithë zonën e Dajtit.

Si rezulat edhe i kontrollit me qentë e gjurmës u bë e mundur që në Qafë-Mollë, mbrapa Dajtit, në një greminë, u gjet i mbuluar me zhavor e gurë trupi i pajetë i shtetasit Ruzhdi Hoxha. Trupi i pajetë i transportua në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.

Ndërkohë, po si rezultat i punës hetimore të kryer nga Strukturat Hetimore të DVP Tiranë, është bërë e mundur zbardhja e autorësisë së kësaj ngjarje, ku dyshohet se shtetasi Fredi Rrushi , i arrestuar më datë 26 tetor 2021 nga DVP Tiranë , si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve, është autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjore të kësaj ngjarje dhe të kryerjes se procedurave ligjore për ndalimin e autorit të kësaj ngjarje.