Presidenti i Serbisë Aleksandër Vucic i është rikthyer pretendimeve se autoritetet e Kosovës së shpejti do të provojnë të marrin në kontroll nënstacionin elektrik të Valaçit ne veri të Kosovës, “nën pretekstin e faturimit të energjisë”.

Në katër komuna në veri të Kosovës, serbët përbëjnë shumicën e popullatës, ndërsa qytetarët e këtyre komunave nuk kanë paguar për energji elektrike që nga viti 1999. Vuçic sërish i mëshoi idesë së pret që kjo do të ndodhë pas 6 nëntorit.

“Unë kam thënë se është e mundur që kjo të bëhet nisur nga kjo datë, për shkak të qëndrimit kundrejt operatorëve atje. Ata do të provojnë ta përdorin faturimin e energjisë, jam pothuajse i sigurt se kjo do të bëhet për qëllime politike e nuk ka të bëjë fare me energjinë”, u shpreh ai, ndërsa i kërkoi Prishtinës që të mos provojë ta hedhë këtë hap.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë njoftoi se drejtori i saj, Petar Petkovic, ka biseduar me ambasadorin gjerman, Thomas Schieb, dhe e ka informuar “për problemet në zbatimin e marrëveshjeve për energji të viteve 2013 dhe 2015, dhe për detyrimet e Prishtinës lidhur me regjistrimin e dy kompanive serbe e licencimin e tyre për furnizim, shpërndarje dhe shitje të energjisë”.