Këtë vit shteti i Nju Jorkut legalizoi marijuanën për përdorim personal. Kjo industri pritet të rritet në mënyrë dramatike, duke sjellë fitime dhe vende pune. Më shumë se 200 kompani që morën pjesë në Kongresin Botëtor të Kanabisit dhe Ekspozitën e Biznesit, po përpiqen të investojnë. Brian Benjamin, zëvendës guvernator i Nju Jorkut, thotë për Zërin e Amerikës se përveç investimeve, kjo industri do të sjellë edhe shumë përfitime të tjera.

“Sipas përllogaritjeve tona, pas vënies në punë të industrisë, mund të shohim rreth 400 milionë dollarë të ardhura. Një shifër e mirë. Një numër i madh njerëzish nuk po burgosen më për shkak të marijuanës, pra kemi një përfitim ekonomik nga kjo. Kjo industri do të krijojë shumë vende pune”, thotë ai.

Në këtë takim biznesi, kompanitë ekspozojnë të gjitha prodhimet e lidhura me marijuanën dhe paketimin. Në pavionet e Qendrës Javits nuk është ekspozuar marijuana, ajo tregtohet vetëm në dyqanet e specializuara.

Shumica e prodhimeve përmbajnë CBD, një ekstrakt marijuane për të cilin ka pretendime se ka veti pozitive, përfshirë lehtësimin e ankthit dhe pagjumësinë. Shumë nga pretendimet ende nuk janë provuar, por përdoruesit e marrin atë bazuar tek efektet pozitive.

Thomas Fuccello, themelues dhe drejtues i kompanisë DabbinDoge, thotë për Zërin e Amerikës se esenca CBD ka veti pozitive.

“E nisa në vitin 2018 për të trajtuar ankthin e qenit tim. Por në të vërtetë, esenca CBD ndihmon në trajtimin e ankthit, depresionit, artritin e madje dhe skelrozën e shumëfishtë. Mund të ndihmojë në trajtimin e kancerit dhe uljen e tumoreve!”, thotë ai.

Jesse Green me kompaninë Astrica Scientific thotë për Zërin e Amerikës se kjo industri sjell përfitime në shkallë të gjerë.

“Jemi të përqendruar jo vetëm tek kultivimi individual por edhe në shkallë komerciale. Këtë e ofrojmë për përdorim komercial, mund të vihen rreth 500 stenda të tilla brenda një dhome”, thotë Jesse Green.

Liam Hancock, me kompaninë Atlas Seed, thotë për Zërin e Amerikës se industria sa vjen e zgjerohet.

“Ne në thelb kemi zemrën e fermerit. Kemi një përvojë 10 vjeçare në prodhimin organik të perimeve, rrushit për verën dhe kanabisit. Po ashtu kultivojmë kanabis për qëllime bujqësore”, thotë Liam Hancock.

Sipas anketave, mbështetja e amerikanëve për legalizimin e marijuanës është shtuar vit pas viti. Sipas Qendrës Kërkimore Pew, rreth 8% e amerikanëve të anketuar janë kundër marijuanës.

Christine Iannuzi, një nga zyrtaret e kongresit dhe ekspozitës së marijuanës në Nju Jork, thotë se njerëzit po mësojnë gjithnjë e më shumë për vetitë pozitive të bimës.

Për vite të tëra marijuana është propaganduar tek shoqëria se është një portë që të çon tek drogat e tjera. Por sigurisht, që njerëzit mund të mësojnë për marijuanës, dhe sigurisht që nuk është ashtu sikurse është portretizuar”, thotë Christine Iannuzi/

Organizatorët e ekspozitës thonë se qëllimi i tyre nuk është vetëm që t’i njohin njerëzit me efektet pozitive që ka bima, por edhe përfitimet e shumta ekonomike që sjell kjo industri.