Ka përfunduar mbledhja e kryetarit të PD-së Lulzim Basha, me krerët e degëve të kësaj force politike ku nuk kanë munguar as zërat kundër Kuvendit të 18 Dhjetorit. Mësohet se Bashën e kanë kundërshtuar të paktën 5 kryetarë degësh, të cilët dhe më herët kanë qenë pjesë e takimeve të foltores së ish-kryeministrit Sali Berisha. Burime bëjnë me dije se kryetarët e degëve që e kanë kundërshtuar Bashën janë:

Agron Loka, Fushë Krujë

Genc Deromemaj, Vlorë

Arben Miza, Devoll

Anton Pjetërnikaj, Paskuqan

Fetah Hasani, kryetar i degës numër 1 në Tiranë

Në dalje të mbledhjes, duke folur për mediat, kreu i PD-së në Vlorë, Deromemaj, tha se ai do të ishte pjesë e Kuvendit që kishin votuar delegatët, duke iu referuar 11 Dhjetorit të thirrur nga Berisha.

Mbledhja është shoqëruar me debate, ku Basha paralajmëroi sanksione për të gjithë ata që nuk respektojnë statutin e Partisë, përfshirë dhe Sali Berishën.

Basha tha se PD ishte përballë dy rrugëve ose të pranonte edhe vetë të shpallej non grata nga SHBA, ose të vazhdonte të ishte një parti europiane, siç ka qenë nga dita e themelimit të saj.

Nuk dihet nëse Basha do të përjashtojë të gjithë delegatët që do ti bashkohen Kuvendit të Berishës, ndërsa fitoren e parë e shënoi në Kryesi, ku mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve.