Arben Ristani ka folur nga studioja e “Opinion” në lidhje me fitoren e Lulzim Bashës në Bashkinë e Tiranës në vitin 2011.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu për të treguar se çfarë ndodhi në fitoren e ngushtë të Bashës në zgjedhje, Ristani, asokohe kreu i KQZ-së, tha se ka zbatuar ligjin. Sipas tij, vota në kutinë e gabuar është e ligjshme dhe kjo është futur në ligj pas praktikës që ai ka krijuar.

Ristani tha se ishin juristët e PD-së që u ankuan atëherë, ndërsa me Berishën ka pasur vetëm një takim kur ka ardhur së bashku me Audrey Glover. Për Bashën, Ristani tha se ka fituar si pasojë e mbështetjes nga LSI, mobilizimit ekstrem të demokratëve dhe se vetë kreu i KQZ-së asokohe ka përballuar kërcënimet deri me vdekje për vetën dhe familjen.

Blendi Fevziu: Ristani do më thuash një të vërtetë?

Arben Ristani: Patjetër!

Blendi Fevziu: Po të vërtetën?

Arben Ristani: Të vërtetën fare.

Blendi Fevziu: Shihe kamerën më thuaj të vërtetën se thonë që kur kalojnë 10 vjet parashkruhet dhe ajo. Respektove vërtetë ligjin atë kohë apo bëre ndonjë truk?

Arben Ristani: Në mënyrë absolute po!

Blendi Fevziu: Ke respektuar ligjin!

Arben Ristani: Sepse vota në kuti të gabuar është e ligjshme dhe është futur në ligj pas asaj praktike që unë krijova. Ai ishte një referencë direkt tek Kushtetuta dhe u kuptua që kishte…

Blendi Fevziu: Kush ta kërkoi ta bëjëe këtë interpretim?

Arben Ristani: Sigurisht që kërkesa ka ardhur nga juristët e PD se ata u ankuan dhe ata kishin verifikuar që kishte votë në kuti të gabuar.

Blendi Fevziu: Ndonjë telefon, ndonjë kështu jo?

Arben Ristani: Ju betohem që me Berishën kam pasur një takim kur ka ardhur Gloveri. Nuk kam pasur asnjë takim tjetër gjatë katër viteve kur kam qenë në krye të KQZ.

Agron Gjekmarkaj: Basha e ka mundur Ramën njëherë. Sapo e thatë ju më përpara që Lulzim Basha e ka mundur Ramën.

Arben Ristani: Unë nuk thashë këtë. Ajo që unë thashë është që unë kam zbatuar ligjin, por mënyra se si fitoi Basha është tjetër histori dhe demokratët e dinë.

Agron Gjekmarkaj: Na e shpjego atëherë.

Arben Ristani: Ka fituar sepse sigurisht kishte shumë vota të LSI, ka pasur një mobilizim ekstrem të PD dhe e treta unë kam përballuar deri në kërcënime me vdekje për veten dhe për familjen.

Agron Gjekmarkaj: Ju lumtë, kjo meriton respekt.

Blendi Fevziu: Kush ju ka kërcënuar me vdekje?

Arben Ristani: Unë kam qenë në atë kohë i rrethuar, jo vetëm unë por edhe familja. Kam qenë vetë në mbrojtje nga RENEA me makinë të blinduar, me familjen të rrethuar dhe të punosh në kushte të atilla nuk është gjë e lehtë. Për të zbatuar ligjin kam qenë dhe kam përballuar situata të tilla.

Gjatë foltores së Fushë-Krujës, edhe Sali Berisha ka treguar versionin e tij se çfarë ka ndodhur me fitoren e Bashës në Tiranë. Sipas Berishës, Basha ka qenë dakord që të mos numëroheshin votat e futura në kutitë e gabuara, por ka qenë vetë kryeministri asokohe që ka këmbëngulur sepse kanë qenë vota “që  i kanë hedhur demokratët shqiptarë”.

Në këtë mënyrë, lideri historik i demokratëve i ktheu përgjigje Bashës, i cili në një intervistë për mediat ka thënë se e fitoi garën pasi përjashtoi Berishën nga fushata.