Austria do të futet në një mbyllje totale duke filluar nga e hëna e javës së ardhshme për shkak të rritjes së madhe të rasteve të reja me koronavirus. Siç raporton BBC, me këtë vendim, të bërë të ditur nga kancelari Alexander Schallenberg, Austria bëhet vendi i parë i BE-së që rikthen karantinën totale pas rihapjes graduale që bënë shtetet europiane.

Karantina totale, duke filluar nga e hëna, do të zgjasë minimalisht për 10 ditë dhe mund të zgjatet edhe për 10 ditë të tjera, u tha Schallenberg gazetarëve në një konferencë shtypi në Vjenë, raporton abcnews.al.

Vendimi vjen pak ditë pasi Austria vendosi të karantinojë këdo që nuk është vaksinuar mbi moshën 12 vjeç.

Një vendim tjetër i fortë është detyrimi për të bërë vaksinën për këdo qytetar të Austrisë duke filluar nga 1 shkurti i vitit të ardhshëm. Kjo vjen për shkak të ecurisë problematike me vaksinimin në vend, gjë që sipas ekspertëve ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të rasteve me koronavirus gjatë muajve të fundit.

Rreth 65% e popullsisë së Austrisë është plotësisht e vaksinuar kundër Covid-19, një nga normat më të ulëta në Bashkimin Evropian ku rastet janë në rritje.