Jepet masa e sigurisë për policin në moshë që abuzoi me 13-vjeçaren.

Gjykata e Sarandës ka caktuar masën “arrest me burg” për Petraq Rakon, oficerin e policisë, që u arrestua pasi kishte kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë 13-vjeçare. Në burg u la edhe 62-vjeçari Stefan Koloi, pasi kishte shfrytëzuar për prostitucion të miturën.

Ata akuzohen për “shfrytëzim prostitucioni”, “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, “prostitucion” dhe “mbajtje e lokaleve për prostitucion”.

Nga ana tjetër mësohet se policia po vijon hetimet intensivisht pasi ka dyshime edhe për të tjerë persona që mund të kenë abuzuar me 13-vjeçaren.

Edhe pse dy të dyshuarit janë kapur në flagrancë, siç u shpreh policia por edhe organi akuzës, autorët e dyshuar kanë mbajtur qendrim mohues.

Ajo që e bën më të rëndë ngjarjen është fakti që Petraq Rako, në vend që ta mbronte të miturën 13-vjeçare e cila shfrytëzohej nga shtetasi Stefan Koloi, pasi ka mësuar këtë fakt, ai ka kryer edhe vetë marrëdhënie me vajzën.

63 vjeçari Petraq Rako ishte Kryeinspektor, punonjës policie Trup Shërbimi në Piken kufitare të Rripsit dhe ishte arrestuar ne vitin 2007 për “dhenie ndihme për kalim te paligjshem te kufirit ne bashkepunim ne kuader te grupit te strukturuar kriminal” por është shpallur i pafajshëm.