Ditën e djeshme në 13-vjeçar humbi jetën pasi ishte vetëvarur me spango në qafë në dhomën e tij në Golem të Lushnjes. Ai u gjet i pajetë nga prindërit. Dyshohet se i mituri ka humbur jetën duke bërë video për ta hedhur në rrjet social Tik Tok.

Lidhur me ngjarjen e rëndë ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi shkruan se është e tronditur, ndërsa ka ngritur alarmin e keqpërdorimit që fëmijët iu bëjnë rrjeteve sociale.

Urgjente. Jam shumë e tronditur nga ngjarja e fundit e 13 vjeçarit në Lushnje! Aksesi i fëmijëve në internet për një kohë të gjatë dhe në burime apo informacione të pakontrolluara dhe të parekomandueshme për moshën e tyre është një nga çeshtjet që unë kam ngritur vazhdimisht në takime të ndryshme. Edhe para pak ditësh e ngrita si alarm në takimin e zhvilluar në kuadër të projektit “Shkolla për Shëndetin” ku theksova nevojën e një debati të gjerë publik për këtë emergjencë shoqërore.  Jo vetëm shkollat dhe institucionet, por edhe familjet dhe çdo individ duhet të marrë sot përgjegjësinë për këto raste fatale“, shkruan Kushi.