Instituti për Siguri Ndërkombëtare me seli në Beograd përmes një njoftimi në llogarinë zyrtare në “twitter” ka paralajmëruar se gjatë janarit të vitit 2022, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin sanksione ndaj disa politikanëve e biznesmenëve nga Serbia, “Republika Srpska”, Mali i Zi dhe Kosova.

“Në janar, Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione ndaj individëve nga Ballkani. Sanksionet do të vendosen ndaj një pjese të komunitetit politik dhe të biznesit në Serbi, Republika Srpska, Mal i Zi dhe Kosovë”, thuhet në shkrimin e këtij Instituti.

Lidhur me këtë, “Danas” ka kontaktuar drejtuesin e këtij institutit, Orhan Dragas, i cili ka thënë se janë rreth 50 njerëz të targetuar për t’u sanksionuar.

Ai ka thënë se kjo ka të bëjë vetëm më individët dhe nuk janë sanksione kundër shteteve.

“Këto janë sanksione të drejtuara ndaj individëve që synojnë të japin rezultate. Në bullgari u provua se janë shumë efektive”, ka thënë ai, shkruan Express.

Dragas ka thënë se paralajmërimi për sanksione është në linjë me atë që emisari Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë së fundi. Escobar gjatë vizitës së tij në rajon kishte thënë se sanksionet kundër politikanëve janë një opsion realist.

“Dhe jo vetëm sanksionet, ka mjete të tjera ekonomike që mund të zbatohen jo vetëm ndaj drejtuesve që kryejnë aktivitete anti-Dejton, por edhe ndaj atyre që i mbështesin, dhe ndaj kompanive që i ndihmojnë”, ka shtuar Dragas.

Kujtojmë se në vendin tonë politikani më i lartë që është shpallur non grata është ish-kryeministri Sali Berisha, ndërsa para tij kjo masë i ishte komunikuar dhe ish-deputetit Tom Doshi, osh-kryebashkiakut të Durrës Vangjush Dako, apo ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili është dënuar dhe me 2 vite burg.