Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet për parandalimin e drejtimit të automjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe për evidenimin e ndëshkimin e shkeljejeve të rregullave të qarkullimit rrugor. Kontrollet intensive janë përqendruar edhe në rrugën e “Arbërit”, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Rrugorët e kryeqytetit kanë organizuar kontrolle të dedikuara në zonat më të frekuentuara, dhe si rezultat i kontrolleve gjatë mbrëmjes së djeshme, në bulevardin “Bajram Curri”, një i ri K.M., 24 vjeç, i cili drejtonte automjetin tip “Porsche”, i ka ofruar lekë punonjësit të Policisë të Qarkullimit Rrugor për të mos bërë testin e alkoolit me drager.

“Kërkohet informacioni i mjetit dhe jo këto që jepni ju, në rregull?” iu drejtua polici, ndërsa i riu në momentin që tentativa dështoi u tërhoq “Më fal shef, më fal”.

Njëkohësisht gjatë kontrolleve, duke përdorur dragerat në rrugët e kryeqytetit dhe në rrugët interurbane që lidhen me kryeqytetin, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës, gjatë mbrëmjes së djeshme dhe mëngjesit të sotëm, kanë arrestuar në flagrancë 6 shoferë që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, konkretisht shtetasit:

K.S., 27 vjeç; L.M., 58 vjeç; S.S., 30 vjeç; F.P., 32 vjeç; V.R., 24 vjeç dhe E.Xh., 31 vjeç. Si dhe u proceduan penalisht për drejtim mjeti dhe motomjeti pa leje drejtimi 4 persona. Gjithashtu janë pezulluar 12 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.Po si rezultat i kontrolleve nga shërbimet e Policisë Rrugore, janë kapur dy persona të shpallur në kërkim policor, ku në përfundim të veprimeve janë proceduar penalisht për vjedhje dhe lëndë narkotike.

Gjithashtu nga monitorimi me radar në rrugën e “Arbrit”, gjatë ditës së sotme janë pezulluar 5 leje drejtimi dhe janë vendosur 14 masa administrative për shpejtësi, por pa sanksionin e pezullimit të lejes së drejtimit.

Po gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me masë administrative për gara shpejtësie dhe mos rregullim shpejtësie në qendrat e banuara 6 drejtues mjetesh, 8 drejtues mjetesh për zhurma shqetësuese nga mënyra e drejtimit të automjeteve sportive, 11 për errësim të xhamit parapritës, 79 drejtues mjetesh për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit, automjete të ndryshme për qëndrim dhe pushim, në kundërshtim me sinjalizimin rrugor dhe rregullat e qarkullimit.

Policia deklaron se kontrollet do vijojnë intensivisht me radarë, makinën inteligjente, kamera, aparate fotografikë dhe nga patrulla të lëvizshme me mjete të paloguara.