Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur pas takimit me zyrtarin e lartë amerikan Gabriel Escobar jashtë selisë së Partisë Demokratike. Basha u pyet nga gazetarët në lidhje me bërjen publike të gjetjeve për shpalljen non grata të Berishës, ku tha se vetë Escobar do të flasë për qëndrimet e DASH. Basha deklaroi se pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe situata politike në Shqipëri dhe ajo në rajon, veçanërisht që kanë lidhje me Kosovën.

“Diskutuam për çështjet e aktualitetit politik në Shqipëri dhe situatën ën rajon. Ia bëra të qartë qëndrimin e PD për pacenueshmërinë e integritetit rajonal të Kosovës. Jam i kënaqur t’ju raportoj që në këtë qëndrim kam marrë mbështetjen dhe mirëkuptimin e Escobar. Diskutuam për ecjen përpara. PD ka disa iniciativa si vettingu i politikanëve dhe ashpërsimi i dënimeve. Pa diskutim që çështja e pandëshkueshmërisë dhe shpalljet non grata ishin pjesë e diskutimeve. Do keni mundësi të dëgjoni nga Escobar qëndrimet e DASH”, tha Basha.

Basha përmendi iniciativat e PD në luftën kundër korrupsionit ku veçoi edhe nismën e fundit për vettingun e politikanëve.

“Është kënaqësi e veçantë të mirëpres përfaqësuesin e lartë amerikan. Lufta kundër korrupsionit është përcaktuar si interes kombëtar i SHBA. Është më shumë interes i Shqipërisë. Ajo për të cilën PD është përpjekur më shumë në këto 8 vite. Ligji për SPAK dhe BKH të miratuara me iniciativën e PD. Te iniciativa jonë për vettingun në politikë. PD ka qenë është dhe mbetet e vendosur në luftën kundër korrupsionit. Sanksionet ndaj individëve dhe kompanive që mbështesin politikanët e korruptuar në Kosovë. Prioritet i PD kanë qenë këto dhe është kënaqësi të shohim një rikthim të fuqishëm në Ballkan dhe Shqipëri”, deklaroi Basha.