Ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur protestën e parë kombëtare në datën 20 Dhjetor, e cila përkon me vizitën e Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev në Tiranë, në kuadër të procesit të Ballkanit të Hapur.

Ai u shpreh se protesta do të ketë dy qëllime kryesore, së pari kundër “Ballkanit të hapur” dhe së dyti për “vjedhjen kombëtare”.

“Unë kam një lajm këtu për shqiptarët dhe për ju këtu. 20 Dhjetori është protesta kombëtare e shqiptarëve. Revolucioni është në protestë. 20 Dhjetor… Protesta ka dy qëllime kryesore, së pari kundër Ballkanit të hapur, së dyti protesta e vjedhjes kombëtare”, tha Berisha.

Berisha shtoi më tej se “më datën 20 kombi është në protestë, merr fund skenari armiqësor antishqiptar i Ballkanit të Hapur”.

I pyetur nga gazetarët nëse kjo do të krijojë opozitë paralele, Berisha tha prerë se jo, duke shtuar se mbështetësit e tij dhe ai vetë mund të shkojnë në çdo kohë në selinë e PD-së.