Ndërsa amerikanët fillojnë sezonin e festave, zinxhiri i furnizimit në Shtetet e Bashkuara është goditur nga vonesat në lëvizjen e mallrave nga portet tek magazinat, dyqanet dhe konsumatorët. Shpesh përmendet si shkak mungesa e shoferëve. Por disa ekspertë dhe shoferë thonë se një problem tjetër i përhapur është mungesa e koordinimit përgjatë zinxhirit të furnizimit.

Në portet amerikane ka vonesa të mëdha në shkarkimin e mallrave dhe pritje të gjata në magazina. Një mungesë prej 80,000 shoferë kamionësh e ka rënduar problemin, sipas Shoqatës së Shoferëve Amerikanë të Kamionëve.

Një studiues thotë se një faktor tjetër në këtë problem është dislokimi joefektiv i shoferëve të kamionëve, sepse ata i japin makinës mesatarisht 6.5 orë, nga 11 orë që u lejohet në ditë.

“Ata vazhdimisht po shfrytëzohen rreth 40 për qind më pak”, thotë David Correll nga Qendra për Transportin dhe Logjistikën në Institutin Teknologjik të Masaçusetsit.

Zoti Correll thotë se arsyeja është e qartë.

“Nuk planifikohen në mënyrë efektshme oraret e shoferëve kur bëhet fjalë për marrjen e mallrave dhe dorëzimin e tyre. Ata gjithashtu nuk trajtohen mirë për kohën dhe vlerën e punës së tyre”, thotë eksperti David Correll.

Një shofer kamioni nga Los Anxhelosi i quajtur Bill, një emigrant nga Kina, i cili nuk pranoi të jepte mbiemrin e tij, shkon në port çdo ditë.

“Për një ngarkesë, ndonjëherë presim gjashtë deri në nëntë orë. Ka raste kur duhet të presim më shumë. Ne humbasim para kur presim për një kohë të gjatë”, thotë ai.

Shoferët e kamionëve gjithashtu mund të përballen me pritje të gjata tek magazinat. Marian, një emigrant rumun në Çikago, është shofer kamioni i distancave të gjata.

“Ndonjëherë kjo varet nga niveli i organizimit të kompanive, niveli i trajnimit të punonjësve të tyre. Pra, se sa kujdesen kompanitë për punën që bëjnë punonjësit dhe pagat e tyre”, thotë ai.

Shoferët e kamionëve mund të marrin të ardhura të mira, kështu që shumë njerëz duan të punësohen në këtë industri, thotë pronari i një shkolle për trajnimin e shoferëve të kamionëve. Por studentët duhet të vendosin nëse janë të gatshëm të bëjnë këtë punë për të cilën ka shumë kërkesa.

“Duhet ta dini nëse jeni personi i duhur për këtë punë dhe këtë lloj biznesi”, thotë James Zhang, pronar i kompanisë “James Dispatch”.

Administrata e Presidentit Biden shpreson të përballojë mungesën duke zgjeruar programet e praktikantëve dhe duke trajnuar veteranët e ushtrisë për t’u bërë shoferë kamionësh.

Por, numri i personave që largohen nga ky profesion është i lartë dhe një analist tjetër thotë se duhet të studiohen arsyet e kësaj prirjeje.

“Në Shtetet e Bashkuara tani kemi rreth 3.5 milionë vende pune për shoferë të kësaj natyre.Por kemi 10 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara që janë të pajisur me këtë lloj patente”, thotë Steve Viscelli, sociolog në Universitetin e Pensilvanisë.

Disa prej tyre tani operojnë makineri të rënda, ndërsa të tjerët kanë kaluar në industri si ajo e ndërtimit, për shkak të rregullave të drejtimit të kamionëve, si për shembull ajo për kohën se kur duhet të flenë, edhe nëse ata nuk mund të gjejnë një vend të sigurt për ta bërë këtë.

“Ka patur raste kur më duhej të ndaloja në dy, tre vende të ndryshme dhe nuk mund të gjeja një vend parkimi pas orës gjashtë të mbrëmjes”, thotë Mariani.

Marian thotë se i pëlqen puna, por ai dëgjon ankesa nga shoferët e tjerë të kamionëve. Edhe sociologu Steve Viscelli ka dëgjuar ankesa nga shumë shoferë kamionësh.

“Ka shumë zhgënjim, shumë prej tyre mendojnë se nuk po respektohen. Shoferët flasin shumë për mungesë të respektit ndaj tyre.”

Sociologu Steve Viscelli thotë se shoferët e kamionëve duan respekt për kohën dhe profesionalizmin e tyre ndërsa transportojnë mallra kritike në të gjithë vendin.