Detaje të reja nga masakra që ndodhi brenda familjes shqiptare në Gjermani.

Gazetari Besian Leka, ka zhvilluar një lidhje direkte nga Hamburgu, aty ku një natë më parë babai kosovar me prejardhje nga komuna e Gjakovës, dyshohet se vrau dy djemtë e tij të mitur, plagosi gruan dhe më pas vrau veten.

Tashmë në shtëpinë e viktimave nuk ndodhet askush, ndërsa fqinjët kanë vendosur lule dhe qirinj për nder të tyre.

“Në shtëpi për momentin nuk gjendet askush, policia e ka mbyllur shtëpinë si zonë të krimit dhe prokurorët po e kryejnë punën e tyre aty”, tha ai. Besian Leka raporton se gjendja e gruas së plagosur është jostabël dhe ndodhet në koma në spital.

“Prapa meje ndodhet shtëpia ku ndodhi ngjarja makabër, banorët u zgjuan me një lajm të trishtë, ku të vdekur mbetën tre persona nga përdorimi i armës së zjarrit dhe një person i plagosur.

Babai me emrin Flamur ka qëlluar për vdekje dy fëmijët e tij 11 dhe 13 vjeçar dhe ka plagosur gruan e tij, e cila gjendet në spital në koma. Gjendja e saj është mjaftë serioze dhe jostabile.

Shtëpia i ka të vendosura dekorimet e festave të fundvitit, fqinjët kanë vendosur pranë qirinj dhe lule në nder të personave që vdiqën”, tha Leka.

Sipas informacioneve të para familja kishte pasur konflikte edhe në të kaluarën, konkretisht në vitin 2020.

“Sipas prokurorit gjerman, deri më tani nuk dihen motivet dhe sesi ka ndodhur rasti. Por sipas raportimeve, thuhet se kjo familje ka pasur probleme edhe në të kaluarën. Në vitin 2020 gruaja është ankuar në polici për probleme me bashkëshortin e saj”, u shpreh ai tutje. Thuhet se rastin në polici e kanë lajmëruar fqinjët.