Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Fier ka goditur zinxhirin komandues të policisë në Mallakastër duke i çuar pas hekurave me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Pesë zyrtarë janë arrestuar dhe tre të tjerë janë lënë në detyrim paraqitje. SHÇBA akuzon se këta punonjës policie dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën gjatë periudhës qershor – shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar kultivimin e kanabisit nga disa persona të arrestuar më parë për të njëjtën vepër penale. “Nga hetimi i këtij procedimi penal është bërë e mundur sigurimi i provave ku janë gjetur disa parcela në vende të ndryshme të hapura dhe të mbjella në disa sipërfaqe të njësisë administrative Poçem, Mallakastër” theksohet në njoftim.

Masat për zyrtarët e policisë Mallakastër:

– Komisar E.K., me detyrë Shef i Seksionit të Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, me masë sigurie “Arrest në burg”.

– N/Komisar E.V., me detyrë Specialist i Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, me masë sigurie “Arrest në burg”.

– Inspektor E.B., me detyrë Ndihmës Specialist në Seksionin e Teknologjisë dhe të Përgjimit në DVP Fier, me masë sigurie “Arrest në burg”.

– Inspektor E.L., me detyrë SPZ pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, me masë sigurie “Arrest në burg”.

– Inspektor O.K., me detyrën e Laborantit Kriminalistik pranë DVP Fier, me masë sigurie “Arrest në burg”.

Detyrim paraqitje:

– Komisar G.P., në detyrën e ish-Shefit të Komisariatit të Policisë Mallakastër

– Inspektor Y. K., me detyrë SPZ pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër

– Inspektor I.B., me detyrë SPZ pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër

Akuzat

Masat e sigurisë për këtë procedim penal janë nxjerrë në vijim të procedimit penal për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, ku pas hetimeve të kryera, në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës, u evidentuan disa parcela të kultivuara me bimë narkotike, ngjarje për të cilën më herët janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas.

Ndërsa hetimet për punonjësit e strukturës policore, përgjegjës për këtë zonë, vijuan nga strukturat e hetimit të SHÇBA Fier, ku në vijim të procedimit penal të ndjekur me metoda speciale të hetimit për një periudhë disa mujore, është bërë e mundur grumbullimi i provave dhe fakteve për këta punonjës policie për veprat penale sipas neneve 238, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Këta punonjës policie dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën gjatë periudhës qershor – shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve të arrestuar më parë nga Prokuroria e Rrethit Fier për kultivim të bimëve narkotike.

Nga hetimi i këtij procedimi penal është bërë e mundur sigurimi i provave ku janë gjetur disa parcela në vende të ndryshme të hapura dhe të mbjella në disa sipërfaqe të njësisë administrative Poçem, Mallakastër. Hetimet për këtë procedim penal vazhdojnë.