Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj ka treguar rolin që kanë pasur dy punonjësit e drejtorisë së Tatimeve që janë arrestuar nga policia në lidhje me publikimin e listës së pagave. Imeraj deklaroi se specialistja e IT e punësuar pranë AKSHI-t ka marrë listën e pagave dhe ia ka kaluar kolegut të saj i cili më pas e ka shitur atë te kompanitë private të përmbarimit.

“Janë kryer veprimet hetimore në mënyrë intensive. Është vijuar me sekuestrimin e serverëve, kompjuterëve duke dalë në përfundimin e një dyshimi të arsyeshëm të bazuar në prova. Kemi zbuluar katër autorë të ngjarjes. Dy janë punonjës në drejtorinë e tatimeve, punonjës IT. Ka dyshime se të dhënat kanë rrjedhur prej tyre.

Specialistja e IT e punësuar te AKSHI duke pasur akses në të dhënat personale ka hyrë duke marrë këto të dhëna personale dhe i ka shpërndarë te kolegu i saj i cili ka shfrytëzuar këto të dhëna dhe ia ka shitur këtyre subjekteve. Punonjës të caktuar kanë arritur të shfrytëzojnë detyrën e tyre. Prokuroria vazhdon hetimet intensive.

Sekuestrimi është bërë në drejtorinë e tatimeve dhe në DPSHTRR pas daljes së listës së targave. Duke pasur parasysh faktin që një veprimtari e tillë ka disa muaj që zhvillohet që nga skandali i patronazhistëve, prokuroria janë në funksion të plotë me veprime të plota”, tha Imeraj.