Ditën e protestës së drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, në selinë e PD ka qenë edhe nënkryetari i PD Enkelejd Alibeaj. Gazetari Artan Hoxha tha se Alibeaj dhe kreu i PD Lulzim Basha janë marrë në mbrojtje nga garda. Ashtu si Basha, sipas gazetarit Artan Hoxha edhe Alibeaj është izoluar në një ambient në selinë blu, por kjo ka ndodhur pasi kështu e cakton ligji duke qenë se ai është nënkryetar Kuvendi.

“Një punonjës i 7 gardës kishte izoluar Enkelejd Alibeajn në një ambient tjetër. Garda i ka ofruar siguri maksimale Bashës. Iu dha garanci dhe u mor në ruajtje edhe Alibeaj. Unë nuk besoj se është deklarata e Spartak Brahos që tha se rrezikohet siguria e Enkelejd Alibeajt, por se është nënkryetar Kuvendi.”.

Telefonatën në polici sipas gazetarit e ka bërë Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi. Ndërsa personat e vetëm të armatosur në seli gazetari thotë se kanë qenë punonjësit e gardës.

“Policia e shtetit cakton një zyrtar i cili quhet pika e kontaktit që e njeh mirë dhe është në gjendje ta lexojë situatën. Personi i parë që ka kërkuar ndihmë ka qenë Bardhi. Ndihma është kërkuar që kur dera e brendshme ka filluar të dobësohet. Që në atë moment ka kërkuar ndihmë, mirëpo policia se shikonte dot se çfarë ndodhte brenda dhe se vlerësonte dot sa e rrezikshme ishte situata.

Policia është vonuar sepse nuk e shihte dot situatën, garda ishte në kat të dytë dhe se shihte po ashtu derën. Të vetmit persona të armatosur kanë qenë punonjësit e gardës. Unë po them të verifikuar.  Ndërhyrja e policisë është bërë kur tokmaku shembi derën”, tha ai.

Protesta e 8 janari agravoi në dhunë. Ishte policia ajo që bëri shpërndarjen e protestuesve, ndërsa më pas selia e PD u rrethua me shiritat “skenë krimi”. Një grup hetimor i Prokurorisë me në krye drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj, qëndroi për afro 4 orë për të mbledhur prova si brenda dhe jashtë godinës së selinë blu. Prokuroria e Tiranës njoftoi sot se i ka drejtuar hetimet për protestën e 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike në 3 drejtime.