Kryetari i PD Lulzim Basha, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Presidenti Bujar Nishani dhe Kryeministri Edi Rama, gjate nje konference me teme, "Reformimi i Sistemit Gjyqesor ne Shqiperi", organizuar ne hotel Tirana./r/n/r/nLeader of the Democratic Party Lulzim Basha, Parliament Speaker Ilir Meta, Albanian President Bujar Nishani and Prime Minister Edi Rama, at the “Reforming the Judicial system in Albania” Conference.

Nga Dritan Hila

Ka kohë që vërehet një qasje e qëndrimeve të Ilir Metës dhe krahut të Berishës në aksione politike dhe mbështetje mediatike. Por së fundi ajo është bërë më e hapur. Përtej rolit të tij institucional dhe gardhit që nuk duhet të kapërcejë dhe që mesa duket e ka harruar me kohë, ai ka filluar të komentojë edhe zhvillimet në PD.

E tillë është edhe ndërhyrja për procesin e rivotimit të kryetarit të PD, që u dashka bërë sipas Metës, në mënyrë që të qetësohen gjakrat.

Që procesi i votimit të Lulzim Bashës sa herë është bërë, ka futur ujë, kjo nuk do shumë memorie. Që proceset kanë qenë qesharake dhe të manipuluara, këtë vetëm tru shpëlarët nuk e pranojnë. Basha ka qenë gjithmonë delfini i Berishës. Basha ka qenë gjella që Berisha i ka servirur PD-së dhe tani që është i detyruar ta hajë edhe vetë, Berisha refuzon ta provojë. Por tani që Berisha e kupton se vendosja e një personazhi jopolitik si Basha ishte zgjidhja më e keqe për të, pasi dikush i rritur në hije nuk mund t’ju bëjë hije dhe mbrojë të tjerët dhe do të bëjë njerëzit të besojnë në naivitetin e zgjedhjes së tij, është vonë. Kështu që çështja e zgjedhjeve në PD është një proces që ka vdekur kur ishin ujërat e qeta, jo tani që ka marrë flakë ajo parti.

Ndaj ndërhyrja e Metës nuk është leksion për rregulla demokracie. Është një rreshtim i tij në krahun e Berishës, rreshtim i cili mesa duket do të jetë edhe strategjik. Është një ndihmë dhënë aleatit të tij në një kohë të vështirë. Kjo mbështetje nuk i vlen Berishës për luftën brenda PD-së. Fjala e Metës mes militantëve të PD është bezdisëse. Pak vlen edhe për Bashën. Më shumë është një sinjal për Ramën. Kjo është shenja se dy njerëzit e fortë të politikës shqiptare së shpejti do të bashkojnë forcat në betejat e ardhshme politike dhe për të cilat Rama duhet të përgatitet fort pasi janë dy individë që nuk do pranojnë të ikin nga politika dhe që në karrierën e tyre kanë shumë akuza dhe njolla të zeza.

Ndërsa për shqiptarët është një leksion i ardhur nga dikush që zgjedhjet në partinë e tij i ka model. Është zbavitëse.