Pas më shumë se 2 orësh dëshmi në Prokurorinë e Tiranës lidhur me protestën e 8 Janarit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u është rikthyer sërish akuzave kundër Sali Berishës. Basha ka thënë se ish-kryeministri Berisha ka organizuar dhe planifikuar një tentativë vrasje me një grup të strukturuar kriminal, mes demokratëve më 8 janar.

Mes të tjerash, kreu i PD-së thekson se ka bërë thirrje autoriteteve që të vërë para përgjegjësive dhunuesit si dhe personat që organizuan protestën. Ndërsa thirrja e dytë e kreut të PD-së ka shkuar për demokratët duke thënë se duhet të vijojnë luftën e nisur për rrëzimin e “regjimit” të kryeministrit Edi Rama.

I vetmi shkak për Bashën, që PD ka ardhur në këtë pikë, është egoizmi i Sali Berishës dhe përdorja e demokratëve për çështjen e tij personale pas shpalljes “non grata” dhe pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PD-së.

“Dhuna u orkestrua, u organizua dhe u urdhërua nga Sali Berisha. Demokratët u thirrën për t’u bërë fasadë më 8 Janar. Kjo është një ditë në të cilën nuk do të kishim ardhur kurrë për interesat e askujt. Ne ishim subjekte të një sulmi barbar dhe të dhunshëm, nga njëra anë kërkoj vendosjen para përgjegjësisë frymëzuesve të dhunës, dhe ju them demokratëve që nuk do humbasim asnjë sekondë në këtë kurth, por duhet të jemi në krye të betejës për ta çliruar Shqipërinë nga ky makth që është produkt i aleancës së keqqeverisjes”, tha Basha.

Pak më parë edhe sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi,  u paraqit në Prokurori.

Sjellim në vëmendje, se ditën e djeshme ishte Sali Berisha i cili u përgjigj për 3 orë pyetjeve të Prokurorisë, lidhur me atë që kishte ndodhur. Pas marrjes në pyetje, Berisha pati një deklaratë për mediat duke hedhur akuza ndaj Bashës se mbështetës të tij ishin të armatosur. Teksa e cilësoi Bashën si peng të Edi Ramës, bëri një paralajmërim për protesta të mëdha. Mes të tjerash Berisha njoftoi edhe një ndryshim të strategjisë së përdorur, duke iu rikthyer edhe një herë takimeve me qytetarët.

Dyer të shkatërruar, dritare të thyera, gurë e shkopinj, kjo është panorama që la pas 8 Janari, ndërsa pas kërkesës nga deputetët demokratë që ishin brenda selisë, u desh ndërhyrja e policisë për të shpërndarë turmën e irrituar që kërkonte largimin me forcë të Lulzim Bashës.

Dy ditë më parë Gjykata la të lirë 34 personat e arrestuar më 8 janar, ku vetëm 5 prej tyre u lanë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndërsa pjesa tjetër ka detyrimin të paraqiten në polici.

23 prej të arrestuarve ishin pjesë e grupimit të Sali Berishës që rezultoi me një dhunë ndaj godinës së PD-së. Ndërkohë 11 të tjerë ishin persona që përkrahën Bashën dhe iu kundërpërgjigjën sulmeve nga brenda selisë.

Protesta e së shtunës kishte si objektiv marrjen e kontrollit të selisë së Partisë Demokratike nga ana e Berishës dhe mbështetësve të tij. Dhuna e shpërthyer u frenua vetëm nga ndërhyrja e forcave të policisë.

Ngjarjet e 8 janarit bënë që  kryesia e PD-së të vendoste përjashtimin e Berishës nga anëtarësia e kësaj force politike. 9 deputetë të tjerë po ashtu u përjashtuan, një masë që u shtri dhe ndaj 19 mbështetësve të ish kryeministrit, anëtarë të Komisionit të Rithemelimit.