Dakordësia e fuqive të mëdha për garën e armatimeve bërthamore

Për herë të parë në histori, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjithashtu pesë shtetet më të fuqishme të botës me armë bërthamore, janë dakordësuar përmes një deklarate të përbashkët për parandalimin e  luftës bërthamore dhe shmangien e një gare armatimesh.

SHBA, Kina, Rusia, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, theksuan në deklaratën e përbashkët se “një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe  nuk duhet të zhvillohet kurrë”.

Deklarata erdhi mes një atmosfere tensioni midis fuqive globale, por kjo nuk është hera e parë në histori kur fuqi të mëdha ushtarake kanë kundërshti me njëra-tjetrën.

Pavarësisht progresit në reduktimin e  arsenaleve të armëve bërthamore që nga Lufta e Ftohtë, imventari i kombinuar në botë i njësive bërthamore mbetet në nivele shumë të larta, afërsisht 13.150 njësi luftarake në vitin 2021.

Kjo marrëveshje është e para në llojin e vet që nga periudha e Luftës së Ftohtë. Madje unike për shkak se marrëveshjet Salt 1 dhe Salt 2 ishin nënshkruar vetëm nga dy superfuqitë e kohës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ish- Bashkimi Sovjetik.

Aspekti historik lidhet me faktin  se tashmë në Këshillin e Sigurimit presupozohet të ketë konsensus në vendimmarrje së paku përsa i përket kësaj çështjeje.

I një rëndësie të veçantë në marrëveshjen e fundit për kufizimin e përdorimit të armëve bërthamore është pozicioni i Kinës. Pekini ka insistuar vazhdimisht  për arritjen e një konsensusi të tillë midis vendeve që posedojnë armët nukleare bërthamore.

Në këtë pakt marrëveshje nuk janë përfshirë vende të tjera si Gjermania, Italia, Japonia, India, Pakistani, Izraeli, Turqia e ndonjë vend tjetër, të cilat posedojnë armë bërthamore ose kanë potencialet e kapacitetet e nevojshme për prodhimin e tyre.

Nëse marrëveshja e fuqive të mëdha  anëtare të Këshillit të Sigurimit do të përfshijë paktin për mospërdorimin  dhe kufizimin e armëve bërthamore edhe në këto shtete, atëherë paqja do të jetë akoma më e sigurt.

Një konsensus më i gjerë se sa i pesë vendeve anëtare të Përhershme në Këshillin e Sigurimit rrit garancitë për paqe e stabilitet në botë. Zëri i përbashkët në mbrojtje të stabilitetit strategjik global dhe uljen e rrezikut bërthamor, është pritur me entuziazëm në Pekin, si dhe vendet e tjera.

Interesat e Kinës bazohen në të drejtën e popujve dhe kombeve për vetzhvillim e progress të papenguar nga faktorë të jashtëm, qofshin këta edhe faktorë me potenciale bërthamore nukleare.

Deklarata e përbashkët e nënshkruar nga udhëheqësit e pesë vendeve do të jetë sigurisht në ndihmë të shtimit të besimit të ndërsjelltë dhe zbutjes së shqetësimit global për sigurinë strategjike. Arritja e deklaratës së përbashkët është një pikënisje e re dhe ka rëndësi të madhe.