Sot shënohet 554-vjetori i ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Gjergj Kastriot Skëndërbeu është konsideruar për mbi 500 vjet si heroi ynë kombëtar.

Ai lindi në vitin 1405 dhe ishte djali më i vogël i Kastriotëve. Në moshën 9-vjeçare ai u mor peng nga ushtria otomane dhe u dërgua në oborrin e sulltanit në Turqi ku u stërvit për tu bërë një nga komandantët më të fuqishëm që është parë ndonjëherë.

Skëndërbeu u kthye në vendin e tij Arbëri (Shqipëri) e çliroi atë nga pushtimi osman dhe e quajti veten “Zot” të saj. Ai e mbajti Arbërinë të lirë për 25 vite, deri në momentin që vdiq në vitin 1468.

Presidenti Ilir Meta ka ndarë një status në rrjetet sociale në nderim të figurës së Skënderbeut. Meta thotë se vepra e pavdekshme e simbolit përbashkues do të na udhëheqë gjithmonë në çdo përpjekje për liri.

“Kryeheroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, krenaria dhe fuqia, trimëria dhe guximi, frymëzimi dhe lavdia jonë e çdo epoke, do të mbetet përjetë shqiptari më i gjallë ndër nesh!

Vepra e pavdekshme e simbolit më përbashkues, që përcaktoi përgjithmonë përkatësinë tonë europiane do të na udhëheqë gjithmonë në çdo përpjekje për liri, sovranitet dhe dinjitet kombëtar”, shkruan Meta.

Edhe ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka kujtuar veprën e Skënderbeut duke e cilësur atë gjeni në fushat e policisë, diplomacisë dhe artit ushtarak.

“554 vjet më parë, më 17 janar 1468 u nda nga jeta Heroi ynë Kombëtar ,Gjergj Kastriot Skënderbeu. Gjeni në fushat e politikës, diplomacisë dhe artit ushtarak, ai organizoi dhe drejtoi luftën e popullit shqiptar kundër Perandorisë Osmane duke e lidhur atë ngushtë me koalicionin ushtarako-politik europian.

Trashëgimia e tij diplomatike dhe ushtarake është burim frymëzimi në rrugëtimin dinjitoz euro-atlantik të Shqipërisë së sotme’, thuhet në postim.