Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka përjashtuar Komisionin e Rithemelimit të Sali Berishës nga zgjedhjet e 6 marsit.

Në shyrtimin e e kërkesës së Lëvizjes Socialiste për Integrim për t’u regjistruar në koalicion me Partinë Demokristiane të Nard Ndokës dhe lëvizjen e Sali Berishës, Celibashi tha se simbolet e PD nuk mund të pranohen në këtë koalicion sepse cenohet interesi i një force tjetër politike.

Në fund ai e regjistroi koalicion ‘Shtëpia e Lirisë’ vetëm me LSI dhe Nard Ndokën, ndërkohë që Komisioni i Rithemelimit mbeti jashtë sa kohë që nuk është një subjekt politik i regjistruar.

“Së pari për legjitimitetin e kërkesës unë mund të them se ne po e diskutojmë sot këtë kërkesë dhe tashmë LSI është regjistruar si parti politike. Nuk mund të them që përfaqësuesi i PD-së ka një pretendim alogjik por nuk ka bazë ligjore.

Vlerësoj që kërkesa e LSI e shqyrtuar sot për të regjistruar një koalicion në vlerësimin tim ka legjitimitet të plotë dhe duhet të shqyrtohet. Lidhur me përmbajtjen nuk qëndron kërkesa për ta kthyer për plotësim, pasi do të ishim në këtë situatë nëse do të kishim mungesë të dokumentacionit përkatës. Ne i kemi të gjitha dokumentet.

Kemi edhe diçka më shumë të cilën është jo në përputhje me parashikimet e ligjit. Kërkesa për disa aspekte të saj reflekton konfliktualitet me nenet e Kodit Zgjedhor me interesat e ligjshme të një partie tjetër politike. Ndaj kërkesa për të përfshirë në simbole, në sigla apo në thelbin e vet elementë të Partisë Demokratike nuk mund të pranohet”, tha Celibashi.