Opsioni drastik i mbylljes u zbulua në raportin vjetor të Meta drejtuar KSHZ-së, bordi mbikëqyrës i bursës amerikane. Në të thuhet ndër të tjera se “Meta mund të detyrohet të mbyllë Facebook dhe Instagram në Evropë në kushtet kur shkëmbimi, mbledhja dhe ruajtja transkontinentale e të dhënave po vihet në rrezik”

Kompania amerikane Facebook që së fundi ndryshoi emrin në Meta, ka pranuar orët e fundit se është duke shqyrtuar largimin nga Evropa të rrjeteve sociale në pronësi të saj, Facebook dhe Instagram.

Në një njoftim nga Meta që publikoi e përditshmja italiane La Republica dhe citon sot noa.al, bëhet ditur se “me shumë mundësi nuk do të mund të ofrojmë më disa nga produktet dhe shërbimet tona më të rëndësishme në Europë”, duke nënkuptuar rrjete si Facebook, Instagram, Messenger e ndoshta dhe WhatsApp.

Kompania u shpreh se “Ne kemi nevojë për rregulla të qarta dhe globale për aspektet e mbrojtjes së rrjedhjes së të dhënave midis SHBA-së dhe BE-së dhe kjo duhet të ndodhë në afat të gjatë”.

E në kushtet kur kjo nuk ka ndodhur as vitin që u mbyll, Facebook dhe Instagram po shqyrtohet që të mbyllen në Evropë. Një skenar thuajse surreal, një ëndërr për disa dhe një makth për shumëkënd, por zhdukja e rrjeteve sociale më të njohura në botë nga tregu evropian është bërë tashmë çështje dhe vjen si paralajmërim ekstrem nga Mark Zuckerberg në debatin e të dhënave midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Bizneset, në thelb, kanë nevojë për rregulla të qarta dhe globale për të mbrojtur flukset afatgjata të të dhënave midis SHBA-së dhe BE-së, dhe si më shumë se 70 kompani të tjera në një gamë të gjerë industrish, ndërsa situata evoluon, ne po monitorojmë nga afër ndikimin e mundshëm në operacionet tona evropiane”, – deklaroi zyrtarisht një zëdhënës i Meta.

Opsioni drastik i mbylljes u zbulua në raportin vjetor të Meta drejtuar KSHZ-së, bordi mbikëqyrës i bursës amerikane. Në të thuhet ndër të tjera se “Meta mund të detyrohet të mbyllë Facebook dhe Instagram në Evropë në kushtet kur shkëmbimi, mbledhja dhe ruajtja transkontinentale e të dhënave po vihet në rrezik”.

Kompania tha se po pret ende që një marrëveshje të arrihet në vitin 2022, por nëse kjo nuk ndodh, “ne ndoshta nuk do të jemi më në gjendje të ofrojmë disa nga produktet dhe shërbimet tona më të rëndësishme, duke përfshirë Facebook dhe Instagram, në Evropë”.

Çfarë ndodh nëse shkohet drejt mbylljes? 

Qytetarët në vendet e Evropës, nëse do të përpiqen të aksesojnë Facebook dhe Instagram nuk do të munden. Kjo dukuri është normale në vende si Kina, ku Facebook nuk aksesohet e po ashtu dhe Koreja e Veriut. Nuk është e qartë nëse Ballkani do të mbetet dhe ai jashtë këtyre rrjeteve, por me gjasë kjo mund të ndodhë pasi BE, shumë konventa dhe marrëveshje i ratifikon me vendet ballkanike si Shqipëria edhe pse nuk janë vende anëtare të BE.

Lëvizja e Metës është një kërcënim serioz, për dhjetëra mijëra kompani evropiane që kanë themeluar biznesin e tyre duke e bazuar mbi trafikun dhe reklamat në Facebook dhe Instagram dhe në shërbimet e tyre të mesazheve.

Pse po shkohet drejt mbylljes?

Bëhet fjalë për rishikimin e marrëveshjeve dypalëshe për shkëmbimin e të dhënave midis SHBA-së dhe Evropës, GDPR.

Çështja ka qenë në një harresë legjislative që nga korriku 2020, që kur vendimi Schrems i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë pezulloi Mburojën e Privatësisë sepse nuk ofronte garanci të mjaftueshme që standardet e privatësisë të vendosura në Evropë ishin respektuar në transferimin e të dhënave personale të qytetarëve evropianë në një vend të tretë, veçanërisht me respekt për ndërhyrjet e agjencive të sigurisë kombëtare.

Mosmarrëveshja është kthyer në tryezën e negociatave, por BE-ja e ka bërë të qartë se ajo ka si synim t’u sigurojë qytetarëve mjete më të forta për të mbrojtur privatësinë e tyre në internet, edhe pse kjo është një perspektivë që tremb kompanitë amerikane si Meta.

Presidenti Biden u përpoq pa sukses për të arritur një kompromis gjatë samitit të qershorit të kaluar me presidenten e BE-së, Ursula von der Leyen. BE bëri të qartë se nuk bën kompromis me të dhënat e qytetarëve evropianë dhe nuk mund të pranojë rrjedhjen e të dhënave të tyre personale në vende të tjera si SHBA.

Zuckerberg është përfshirë në bisedimet evropiano-amerikane me shpresën se do të arrijë diçka edhe pse BE është dukshëm shumë e ngurtë.

Dhe nuk është e gjitha. Pas GDPR, legjislacioni dixhital evropian do të forcohet me Aktin e Shërbimeve Dixhitale, ligji për shërbimet dixhitale i sapo miratuar nga Parlamenti Evropian.

“Do të ketë një ndikim edhe më të rëndësishëm se GDPR, sepse vendos rregulla specifike për platforma të mëdha, sidomos ato që mund të arrijnë të paktën 450 milionë njerëz në BE. Ky legjislacion i ri imponon transparencë mbi rregullat e moderimit dhe algoritmeve, përgjegjësinë për përmbajtje të dëmshme. Dhe më pas ka një amendament për reklamimin e synuar, i cili, nëse do të mbetet në versionin përfundimtar të rregullores, mund t’i japë fund asaj që Shoshana Zuboff e ka quajtur ‘kapitalizëm mbikëqyrës’: kompanitë e teknologjisë nuk do të jenë në gjendje të mbledhin të dhëna në veçanti siç bëjnë tani duke shfrytëzuar plot të dhëna që në fakt u sigurojnë miliarda euro fitime të tërthorta.

E ndërsa po shkohet drejt këtij vendimi drastik, telashet mes Facebook (Meta) dhe Bashkimit Evropian si dhe një sërë shtetesh evropiane, kanë nisur prej disa vitesh. Ata janë zhytur në procese të shumta gjyqësore që kanë si shkak kryesisht çështjen e mbrojtjes së të dhënave personale të përdoruesve të këtyre rrjeteve sociale.