Kur nga çasti në çast mund të shpërthejë lufta, Ukraina ka bërë thirrje për një takim me Rusinë dhe anëtarë të tjerë të një grupi kyç të sigurisë evropiane.

Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba tha se Rusia kishte injoruar kërkesat zyrtare për të shpjeguar ngritjen e trupave. Ai tha se “hapi tjetër” ishte të kërkohej një takim brenda 48 orëve të ardhshme për “transparencë” në lidhje me planet e Rusisë.

Rusia ka mohuar çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht nga grumbullimi i rreth 100,000 ushtarëve në kufijtë e Ukrainës. Por disa vende perëndimore kanë paralajmëruar se Rusia po përgatitet për veprime ushtarake, me SHBA-të që thonë se Moska mund të fillojë me bombardime ajrore “në çdo kohë”.

Shumë vende u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina dhe disa kanë tërhequr stafin e ambasadës nga kryeqyteti. CBS News raportoi se SHBA po përgatitet të tërheqë të gjithë personelin e saj nga Kievi brenda 48 orëve të ardhshme, duke cituar tre burime. Kuleba tha se Ukraina kishte kërkuar të premten përgjigje nga Rusia në lidhje me qëllimet e saj sipas rregullave të Dokumentit të Vjenës, një marrëveshje për çështjet e sigurisë të miratuar nga anëtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila përfshin Rusinë.

“Nëse Rusia është serioze kur flet për pandashmërinë e sigurisë në hapësirën e OSBE-së, ajo duhet të përmbushë angazhimin e saj për transparencën ushtarake në mënyrë që të de-përshkallëzojë tensionet dhe të rrisë sigurinë për të gjithë”, tha ai.

Megjithatë, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, i cili kritikoi “panikun” që mund të përhapet nga pretendime të tilla, tha se nuk kishte parë asnjë provë që Rusia po planifikonte një pushtim në ditët në vijim.

Të dielën, ai foli për gati një orë në telefon me presidentin amerikan Joe Biden. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden kishte përsëritur mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën dhe se të dy udhëheqësit kishin rënë dakord për “rëndësinë e vazhdimit të ndjekjes së diplomacisë dhe parandalimit”.

Deklarata e thirrjes së Ukrainës tha se presidenti i saj falënderoi SHBA-në për “mbështetjen e palëkundur” dhe se, në fund, Presidenti Zelensky e ftoi udhëheqësin amerikan të vinte në Ukrainë. Nuk ka pasur asnjë koment për ftesën nga Shtëpia e Bardhë.

Një telefonatë një orëshe midis Presidentit Biden dhe udhëheqësit rus Vladimir Putin një ditë më parë nuk arriti të japë një përparim.