Tronditës është rasti i një vetëvrasjeje që u njoftua sot në Patra të Greqisë, ku një student 24-vjeçar i ka dhënë fund jetës, duke shpjeguar në një shënim arsyet pse mori vendimin fatal.

I riu me origjinë nga Rodosi, u gjet i pajetë në banesën e tij në zonën e Agjia Sofjes në Patra, raporton noa.al duke cituar mediat lokale.

Prindërit nuk po komunikonin dot me djalin ndaj arritën të lidhen në distancë me pronarin e apartamentit ku fëmija i tyre jetonte me qira, duke i thënë të shkonte te banesa, pasi nuk kishin asnjë lajm për të.

Kur pronari ka shkuar në banesë, ka shpërthyer derën dhe ka gjetur të vdekur djalin e ri.

Në dhomën e gjumit të 24-vjeçarit, ai gjeti një shënim në derë ku shkruhej: “Njoftoni zyrtarët e shtetit kur të gjeni këtë shënim” .

Policia ka mbërritur në vendngjarje, ku ka gjetur të vdekur në shtrat 24-vjeçarin.

Pranë tij u gjet një shënim i dytë. Në të, i ndjeri shpjegonte në detaje arsyet pse vendosi t’i jepte fund jetës së tij dhe jepte udhëzime të detajuara në lidhje me mënyrën e varrimit të tij.

Madje, ai bënte të qartë në letër se autoritetet nuk kanë nevojë të hetojnë më tej këtë rast, pasi ka qenë zgjedhje e tij personale.