Presidenti rus Vladimir Putin ka njohur zyrtarisht dy rajone të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainë. Ai tha se do të dërgonte trupa ruse në këto rajone Luhansk dhe Donetsk duke ngritur frikën se kjo mund të shënojë fillimin e një inkursioni ushtarak.

Putin thotë se këto trupa do të kryejnë funksionet “paqeruajtëse”, por përfaqësuesi i SHBA në OKB e përshkroi këtë lëvizje si një marrëzi. SHBA beson se Putini është gati për të pushtuar Ukrainën.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një takim urgjent natën vonë në Nju Jork pas fjalimit të Putinit, ku shumë vende kërkuan paqe dhe zgjidhje diplomatike, për të shmangur luftën.

Ambasadori rus tha se vendi ishte i hapur ndaj zgjidhjeve diplomatike, por gjithashtu përsëriti akuzat e Putinit duke fajësuar Ukrainën për përshkallëzimin e agresioneve. Ukraina e ka mohuar fuqishëm këtë akuzë.

Putin gjithashtu akuzoi Ukrainën si një kukull të SHBA-së dhe tha se NATO po kërcënonte sigurinë e Rusisë. Presidenti i Ukrainës Zelensky, në përgjigjen e tij, tha se Ukraina nuk kishte frikë dhe nuk do të dorëzohej.

Në Britani po diskutohet për sanksionet që do të vendosen ndaj Rusisë, pas lëvizjes së fundit. Sanksionet pritet të jenë hapi i parë i masave ndëshkuese të vendosura ndaj Rusisë, me një paketë të mëtejshme të parashikuar nëse Moska pushton Ukrainën. Edhe Shtëpia e Bardhë konfirmoi se do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë në orët e ardhshme.

“Orët dhe ditët e ardhshme do të jenë kritike. Rreziku i një konflikti të madh është real dhe duhet parandaluar me çdo kusht”.

Kështu deklaroi nënsekretarja e OKB-së për Çështjet Politike, Rosemary Dicarlo, në takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit për Ukrainën, duke garantuar “angazhimin e plotë të Sekretarit të Përgjithshëm për të punuar për një zgjidhje diplomatike të krizës aktuale”.