Persona të paidentifikuar po planifikonin të kryenin vjedhje në një nga zonat më të populluara në Tiranë.

Policia zbuloi se në bulevardin “Zogu I” po kryheshin gërmime, duke përdorur tunele të nëndheshme, me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë, por falë reagimit të menjëhershëm, kanë bërë të mundur parandalimin e vjedhjes në bankë.

Personat kanë tentuar që të hyjnë përmes kanalit të ujërave të zeza, por janë pikasur nga forcat blu. Gjatë aksionit e sipër ata kanë hedhur armën në Bulevard, e cila u gjet gjatë ditës së djeshme nga policia.

Shërbimet e Policisë janë duke kryer hetime të thelluara me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim.

Në serialin e famshëm Casa de Papel u përdorën metoda të tilla për të kryer vjedhjen e bankës në Spanjë.